Piramida e përmbysur e normalizimit Kosovë-Serbi

I.  Procesi i bisedimeve Kosovë-Serbi i ngjan një piramide të përmbysur, ndonëse në rastin e skenarit më të mirë, do të duhej të ishte krejtësisht e kundërta. Ky proces do të duhej t’i ngjasonte një piramide normale, me një themel të fortë, që do të shërbente si parakusht për uljen në tryezën e bisedimeve. Ky themel përbëhet prej pesë elementeve.

Së pari, njohja e Kosovës nga Serbia do të duhej të ishte gurthemeli i procesit të normalizimit e jo synimi i cili duhet arrirë.

Së dyti, zgjidhja e çështjes së personave të zhdukur. Ky element do të duhej të ishte parakusht për bisedime, e jo të jetë çështje për të cilën flitet në to. Pra, çështje e panegociueshme, jo temë.

Së treti, çështja e pagesës së dëmshpërblimit të luftës. Edhe pas dy dekadash nga mbarimi i luftës, nuk është iniciuar procedurë ndaj Serbisë për pagesën e dëmshpërblimit të dëmeve të shkaktuara nga lufta.

Së katërti, kryerja e procesit të suksedimit shtetëror të ish-Jugosllavisë. Çështja e trashëgimisë së pronës shtetërore, pasurive të paluajtshme, të luajtshme, pronave diplomatike e konsullore, aseteve financiare, arkivave dhe përgjegjësive janë përcaktuar në Marrëveshjen mbi suksedimin, të arrirë në qershor të vitit 2001 midis shteteve pasardhëse të ish republikave në kuadër të federatës jugosllave. Prona, asetet dhe përgjegjësitë e Kosovës, me marrëveshjen e vitit 2001 padrejtësisht i kanë takuar Serbisë. Me pavarësimin e Kosovës në vitin 2008, procesi i suksedimit bëhet imperativ.

Dhe së fundmi, vendosja dhe zbatimi i parimit të së drejtës ndërkombëtare, atij të reciprocitetit, duke filluar nga ai ekonomik, politik, respektimit të të drejtave të pakicave e kështu me radhë.

E shtruar në këtë mënyrë, natyrshëm vjen pyetja: a ekzistonte ky themel në vitin 2011 kur edhe filloi procesi i bisedimeve? Ose, meqenëse pyetja është e vlefshme edhe sot e gjithë ditën: a janë të pranishme kushtet themelore për të vazhduar me dialogun? Përgjigjja është pa hezitim: jo.

Kati i parë i piramidës së procesit të normalizimit do të duhej të përbënte shqyrtimin e kushteve formale të bisedimeve. Le të nisemi nga emërtimi i këtij procesi. Kur procesi filloi në vitin 2011, u quajt negociatat Kosovë Serbi. Së fundmi, në ligjërimin mediatik e publik, ky proces emërtohet dialog. Ndonëse të dy termat janë përdorur herë njëri e herë tjetri për të emërtuar të njëjtin proces, ata nuk nënkuptojnë të njëjtën gjë.

Dialogu është ndërveprim ballë për ballë midis palëve me prejardhje, bindje dhe mendime të ndryshme, në të cilin ata respektojnë njëri-tjetrin si qenie njerëzore dhe janë të përgatitur të dëgjojnë dhe të mësojnë nga njëri-tjetri, aq shumë sa të frymëzohen për një ndryshim të qëndrimeve.

Negociatat nënkuptojnë komunikimin e dizajnuar për arritur një marrëveshje në një situatë ku palët në anët e ndryshme të situatës në fjalë, kanë një numër interesash të përbashkëta dhe të tjera për të cilat s’pajtohen. Në njëfarë mënyre, negociatat janë mjet themelor për të marrë atë që dëshironi nga të tjerët.

Përdorimi shpërfillës i strukturave konstante epistemologjike lidhur me çështje të këtilla të ndjeshme, mund të krijojë tinëzisht efekte të dëshiruara ose padëshiruara në varësi të interesit të palëve, dhe pasoja për mbarëvajtjen dhe qëllimin e procesit në përgjithësi.

Dialogu është asimetrik dhe i pabarabartë. Kosova ka pranuar të hyjë në këtë proces asimetrik si palë e pabarabartë. Përderisa Kosova e sheh Serbinë si shtet fqinj, Serbia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës, madje e trajton atë si provinca e saj jugore, me emër krejtësisht tjetër – Kosovë dhe Metohi. Gjë e sanksionuar që në aktin më të lartë juridik, në kushtetutën e saj.

Duhet mënjanuar nga ligjërimi mbi dialogun pjesa e dytë e togfjalëshit “njohje e ndërsjellë”. Kjo për faktin se mungon vetëm njohja e njëanshme, pra nga ana e Serbisë.

Çështja e tretë sa i përket aspektit formal të dialogut, ka të bëjë me mungesën e legjitimitetit të ndërmjetësit, pra BE-së. Bashkimi Evropian, shikuar në aspektin formal ka konflikt interesi me njërën palë të dialogut, Kosovën, që e bën atë një aktor ndërmjetës të padenjë. Pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës. Legjitimiteti i paqenë i ndërmjetësit evropian është gërryer edhe më tej sivjet, kur Përfaqësues Special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor është caktuar ministri i Jashtëm sllovak përgjatë tetë viteve të kaluara, një nga vendet që akoma nuk kanë njohur Kosovën. Politika e jashtme e përbashkët e BE-së, dihet mirëfilli se është e pashpresë. Ndaj, ndërmjetës legjitim evropian i dialogut në këtë rast do të mund të ishte një trup i krijuar nga shtetet më të fuqishme të Evropës, si Anglia, Gjermania e Franca.

Në katin e dytë, pastaj do të vijohej me aspektin e përmbajtjes së dialogut. Që nga viti 2011, kur ky proces filloi, ka ndodhur transformimi i natyrës së tij. Bisedimet filluan si teknike, për të marrë në 2013 një karakter krejtësisht politik. Ky proces u lëkund në mënyrë të konsiderueshme kur në 2017 u shfaq ligjërimi mbi territoret. Togfjalëshat “ndryshimi i kufijve”, “korrigjimi i kufijve”, “shkëmbimi i territoreve”, “kompromis i dhimbshëm” dhe “spastrimi etnik paqësor” u bënë të gjithë pjesë e diskursit kur flitej për arritjen e një marrëveshjeje midis Kosovës e Serbisë. Kështu, procesi I dialogut, nga një proces për normalizim të marrëdhënieve filloi t’i ngjasonte një konference të paqes të shekujve të kaluar, me harta në tavolinë.

Në vitin 2020, me ndërhyrjen e SHBA-së, dialogu mori një karakter në dukje tërësisht tjetër, atë ekonomik. Ndonëse, një normalizim ekonomik pa implikime politike është vetëm një vegim.

II.

Progresi i dialogut është i zbehtë. Ky proces përshkohet nga një mungesë koherence mes numrit të marrëveshjeve të nënshkruara dhe atyre të zbatuara. Deri tani janë nënshkruar mbi tridhjetë marrëveshje, por një numër shumë i vogël i tyre janë zbatuar. Për më tepër, Serbia ka bërë shkelje të njëpasnjëshme të marrëveshjeve të cilat i ka nënshkruar. Sa për ilustrim, në bazë të marrëveshjes për lirinë e lëvizjes midis dy vendeve, shumë qytetarë të Kosovës nuk janë lejuar të hynë në Serbi, duke përfshirë këtu edhe zyrtarë të lartë shtetërorë. Ngjashëm ka ndodhur edhe me shkeljen e marrëveshjes mbi përfaqësimin dhe bashkëpunimin rajonal të nënshkruar në vitin 2012. Menjëherë pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, Serbia ka refuzuar të marrë pjesë në një samit rajonal ku ka qenë e ftuar Kosova, ndërkaq pas dy viteve ajo ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Kartën e Adriatikut.

Këto marrëveshje janë përshkuar nga një mungesë e theksuar transparence për përmbajtjen e tyre. Të mos flasim për mungesën e një debati dhe shqyrtimi publik përpara se ato të nënshkruhen. Këto janë marrëveshje me interes të madh për qytetarët, ndaj transparenca duhet të jetë e një shkalle të lartë.

Pozicionet dhe pritjet e palëve dhe aktorëve të tjerë të përfshira në dialog kanë divergjenca të mëdha. Kosova pret njohjen e shtetësisë së saj nga Serbia dhe një normalizim marrëdhëniesh si dy shtete fqinje për të vazhduar më pas me procesin e njohjes dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare. Për dallim nga Serbia, e cila përmes dialogut kërkon formash të ndryshme të shtrijë sovranitetin e saj në një shtet tashmë sovran dhe ta pamundësojë funksionimin normal të shtetit të Kosovës. Territorializimi i të drejtave të pakicës serbe përmes krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, është njëra nga tendencat për ta arritur këtë cak. Mbajtja e zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës, eksterritorialiteti mbi kishat ortodokse në Kosovë, provokimet e ndryshme, vazhdimi i fushatës kundër njohjeve ndërkombëtare të shtetit të Kosovës, kundërshtia që Kosova të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare, janë vetëm ca nga veprimet që dëshmojnë se mendësia serbe nuk ka ndryshuar dhe se asaj i mungon vullneti për të ndryshuar veten dhe status quo-në. Këto divergjenca e bëjnë arritjen e një marrëveshjeje madhore, tmerrësisht të vështirë.

Ngecjet dhe vonesat në përparimin e dialogut, shtuan përpjekjet e administratës amerikane për të përshpejtuar procesin e dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje finale. Në shtator të këtij viti të dyja palët u ftuan në Shtëpinë e Bardhë dhe nënshkruan të dyja veç e veç me SHBA-të zotime mbi normalizimin ekonomik, të cilat u njohën me emrin Marrëveshja e Uashnigtonit. Por, ajo që e bën këtë dokument lehtësisht të kontestueshëm, në radhë të parë është mungesa e një marrëveshjeje bilaterale dhe e një qëndrimi të përbashkët që rëndom del nga takimet e këtilla. Së dyti, ky dokument nuk u nënshkrua midis palëve, por secila palë nënshkroi veç e veç zotime me SHBA-të. Ndaj dhe secila palë e përfshirë pati versionin e vet të rrëfimit për përdorim të brendshëm politik. Presidenti amerikan, u mburr për një “arritje historike” që po “ndalonte vrasjet në masë midis Kosovës e Serbisë”. Kosova qe e lumtur për njohjen nga Izraeli. Ndërkaq Vuqiq i interpretoi zotimet si një marrëveshje bilaterale me SHBA-të. Implikimet nga këto zotime nuk duhet të nënvlerësohen, ndonëse rezultatet konkrete për arritjen e një marrëveshjeje madhore midis dy vendeve nuk duken gjëkundi.

III.

Faktorë plotësues kushtëzojnë dhe kanë ndikim mbi procesin e normalizimit. Ndër ta, tre faktorë janë përcaktues.

I pari, është deficiti i legjitimitetit i cili është i pranishëm te të dyja palët e dialogut. Kosova përfaqësohet në dialog nga kryeministri me një legjitimitet 3 përqindësh apo 26 mijë e 155 votësh. Qeveria e zgjedhur në mënyrë demokratike në vjeshtë të vitit të kaluar u rrëzua me mocion mosbesimi në mesin e pandemisë globale. Ngjarje e paprecedentë. Qeveria aktuale ka një legjitimitet tejet të brishtë.

Nga ana tjetër, në Serbi, dialogu përfaqësohet nga presidenti i zgjedhur me shumicë të konsiderueshme votash, partia e të cilit po ashtu ka një legjitimitet të barabartë me 2/3 e ulëseve në kuvend, por vendi nuk ka arritur akoma të krijojë një qeveri. Bojkoti i opozitës në zgjedhjet e fundit e thellon edhe më tepër këtë deficit, ndërkaq që Serbia tashmë bën pjesë te të quajturat regjime autoritare.

Faktori i dytë kushtëzues lidhet me qëndrimin e politikave të brendshme të shteteve palë në dialog. Dhe përderisa për dikë mund të ngjajë se në Kosovë ka një pluralizëm mendimi, si karakteristikë e demokracisë, për dallim nga regjimi autoritar i Vuqiqit, ku mbretëron një qëndrim unik politik por edhe qytetar për sa i përket çështjes së Kosovës, mungesa e konsensusit të brendshëm në Kosovë është një faktor destruktiv në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Diskursi mbi dialogun ka qenë polarizues për të mos thënë përçarës. Në skenën politike janë të pranishme dy perspektiva divergjente, madje të kundërta për sa i përket tërë procesit të dialogut dhe çështjes së normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Kjo ka ngjallur edhe huti te vox populi  lidhur me qasjen ndaj procesit të dialogut.

Së treti, mungesa e një konsensusi ndërkombëtar. Kur në vitin 1999, NATO intervenoi në Kosovë, apo edhe me rastin e shpalljes së pavarësisë në 2008-n, shumica e aktorëve ndërkombëtarë mbanin qëndrim unik për sa i përket çështjes së Kosovës. Sot, mjedisi bashkëkohor ndërkombëtar është si kurrë më parë kaotik. Sidomos në Ballkan, ku mungesa e pranisë aktive të SHBA-së dhe ajo e politikës së jashtme të përbashkët evropiane, kanë bërë të mundshme praninë e aktorëve të tjerë me agjenda të dyshimta, që kontestojnë dhe sfidojnë agjendën euro-atlantike dhe vlerat perëndimore.

IV.

Ky normalizim u nevojitet të dyja vendeve sa i përket politikës së jashtme. I nevojitet Serbisë më shumë se Kosovës në aspektin e brendshëm. Kosova u çlirua nga Serbia në vitin 1999. Është Serbia që nuk po e çliron veten nga Kosova as dy dekada më pas.

Albert Ajnshtajn me të drejtë ka thënë se “problemet nuk mund të zgjidhen me nivelin e njëjtë të të menduarit që i ka krijuar ato”. Kështu, çështja Kosovë-Serbi nuk mund të zgjidhet me nivelin e njëjtë të të menduarit serb. Në horizont akoma nuk duket ndonjë alternativë tjetër e zbatueshme përveç procesit të dialogut. Por, që dialogu të ketë përparim, përveç vullnetit për të ndryshuar status quo-në, nevojitet edhe vullnet për të reflektuar dhe ndryshuar veten. Kjo vlen në radhë të parë për Serbinë, politika zyrtare e së cilës ka mbetur e njëjtë.

Arritje e dialogut nuk është vetëm vendosja e paqes mes dy vendeve, por arritja e një marrëveshjeje që do të vendosë një paqe të qëndrueshme, jo vetëm për dy shtetet por edhe për tërë rajonin. Ndaj kjo paqe duhet të jetë e bazuar në drejtësi.

Hapi i parë i vendosjes së drejtësisë në këtë rast është pranimi i fajit nga Serbia bashkë me pesë elementet e lartpërmendura që përbëjnë themelin e piramidës së normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Pavarësia e Kosovës përbën një fakt të pakthyeshëm. Pranimi i këtij fakti do të ishte në të njëjtën kohë pikënisja e Serbisë në përballjen e saj me realitetin e ri rajonal e ndërkombëtar.

Hapat e tjerë do të ishin shqyrtimi i shkallës së zbatueshmërisë së marrëveshjeve të nënshkruara tashmë dhe vendosja e parimeve të prera të dialogut. Përgjegjësia në zbatimin e marrëveshjeve duhet të jetë treguesi bazë që përcakton hapat e mëtejmë dhe eventualisht modifikimin e strategjisë së procesit.

Dialogu si proces dhe përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje madhore eventuale nuk mund kurrsesi të kenë sukses, pa një konsensus transatlantik. Qëndrimi unik transatlantik lidhur me procesin e normalizimit Kosovë-Serbi përbën faktorin përcaktues në këtë proces të ndërlikuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button