CEZ-i humb 200 mln euro në Shqipëri

“CEZ rrezikon të humbase 200 milion euro nga investimi i dështuar në Shqipëri”. Kështu titullohet artikulli i radhës kushtuar krizës së sektorit energjitik në vendin tonë nga prestigjozja “Bloomberg”. 

Gazeta ekonomike duke cituar zëdhënësen e kompanisë çeke në Pragë thotë se kompania rrezikon të humbë 102 milion euro, që është vlera me të cilën çekët blenë sektorin e shpërndarjes së energjisë në Shqipëri, plus 90 milion euro, që kompania thotë se i ka bërë investime në rrjet.

“Jemi duke ndërmarrë hapa e nevojshme në arbitrazhin ndërkombëtar dhe në këtë fazë nuk mund të themi se sa, apo nëse do të përfitojmë dicka nga largimi prej Shqipërisë. 

Një ndër hapat tona do të jetë edhe garancia prej 60 milion eurosh të vendosura nga Banka Botërore në momentin që vendosëm të investojmë në Shqipëri”, citohet zëdhënësja e selisë qendrore të CEZ, Barbora Pulpanova.

“Bloomberg” thekson se të hënën, Enti Rregullator i Energjisë i hoqi licensën kompanisë pas disa muajsh konflikti në lidhje me pagesat dhe cmimet e energjisë. “Bloomberg” përmend se mjaft institucione shtetërore nuk paguajnë energjinë dhe se kompania çeke u detyrua të blejë energjinë me cmim më të lartë nga KESH, por u ndalua të rrisë cmimin e shitjes tek konsumatorët.

Situata në Shqipëri ka ndikuar në zhvlerësimin e aksioneve të kompanisë çeke në bursë, të cilat kanë rënë me 5.8 përqind vetëm brenda këtij viti. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button