Siri, evakuohen dhjetëra shtetas rusë

Dhjetëra shtetas rusë u evakuan nga Siria ditën e martë, por Ministria e Jashtme Ruse pretendon se ky nuk është fillimi i një evakuimi masiv. 

Autobuzë të mbushur me rusë kaluan gjatë ditës kufirin libanez, duke iu drejtuar aeroportit të Bejrutit për të kapur fluturimin për në shtëpi.

Moska është shndërruar në një prej aleateve më të ngushta të presidentit Bashar al-Assad, gjatë luftës civile të nisur në mars 2011, por ka pranuar se ekzistojnë plane për tërheqjen urgjente të disa mijëra shtetasve të saj, shumica ushtarakë, të cilët janë aktualisht rezidentë në Siri.

Nëse gjendja do të përkeqësohet dhe shpërngulja e plotë do të jetë e detyruar, ekspertët besojnë se marina ruse do të jetë e detyruar që të ndërhyjë.

Sipas “Agence France Presse”, evakuimi i së martës u bë për 84 shtetas, ndërsa një diplomat rus tha: “Nuk ka asnjë presion për rusët që të largohen nga Siria, pasi ka shumë zona të Damaskut, të cilat janë krejtësisht të sigurta dhe ku nuk është verifikuar asnjë përplasje apo formë e ndryshme dhune. Personat e larguar e bënë këtë me vullnetin e tyre të lirë”. 

Megjithatë, ndërsa Moska këmbëngul se nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, disa media ndërkombëtare spekulojnë se kjo është shenja e parë, e përkeqësimit të vazhdueshëm të situatës për presidentin Bashar al-Assad, që eventualisht mund të shkaktojë fundin e mbështetjes ruse.

Më parë gjatë dhjetorit, Kremlini, duke theksuar se gjithsesi mbetet një aleat i qeverisë së Al-Assad, pranoi se ka gjasa që kryengritësit të dalin fitues nga kjo luftë civile që i ka marrë jetën deri më tani mbi 60 mijë sirianëve./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button