Kina kundërshton akuzat e Trumpit lidhur me COVID-19
Duke kundërshtuar thirrjen e Trumpit që Kina të mbajë përgjegjësi për pandeminë, Zhang Jun, ambasadori i Pekinit në OKB tha se: “Kina me vendosmëri hedh poshtë akuzat e pabaza”
Kina të martën hodhi poshtë akuzat e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, në adresimin e OKB-së se ajo ka “lëshuar” koronavirusin në botë, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke kundërshtuar thirrjen e Trumpit që Kina të mbajë përgjegjësi për pandeminë, Zhang Jun, ambasadori i Pekinit në OKB tha se: “Kina me vendosmëri hedh poshtë akuzat e pabaza”.
Më herët, Trump, duke përsëritur pretendimet e refuzuara gjerësisht që duken të dizajnuara për të fituar votuesit konservatorë të SHBA-ve para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, e cilësoi COVID-19 si “virus kinez” në fjalimin e tij në Asamblenë e 75-të të Përgjithshme të OKB-së, të cilin e mbajti virtualisht për shkak të pandemisë.
Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, presidenti kinez Xi Jinping, u bëri thirrje vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara të shmangin “politizimin” e virusit, duke thënë: “Ne njerëzit po luftojmë COVID-19. Njerëzit e vendeve të ndryshme janë bërë bashkë, duke demonstruar guxim, vendosmëri dhe dhembshuri. Virusi do të mposhtet. Njerëzimi do ta fitojë këtë betejë”.
“Ne duhet ta shohim njëri-tjetrin si anëtarë të së njëjtës familje të madhe, të ndjekim bashkëpunimin fitimprurës dhe të ngrihemi mbi mosmarrëveshjet ideologjike dhe të mos biem në grackën e ‘përplasjes së civilizimeve’”, tha presidenti kinez.
Ai e quajti COVID-19 “provën kryesore të kapacitetit qeverisës të vendeve” dhe “gjithashtu një provë të sistemit global të qeverisjes. Ne duhet t’i qëndrojmë besnik multilateralizmit dhe të mbrojmë sistemin ndërkombëtar me OKB-në në thelb të tij”.
“Kina është vendi më i madh në zhvillim në botë … Një vend që është i përkushtuar për një zhvillim paqësor, të hapur, bashkëpunues dhe të përbashkët. Ne kurrë nuk do të kërkojmë hegjemoni, zgjerim ose sferë të ndikimit. Ne nuk kemi ndërmend të luftojmë as një Luftë të Ftohtë, as një luftë të nxehtë me ndonjë vend”, shtoi Xi.
Ai tha se Kina do të vazhdojë të “ngushtojë dallimet dhe të zgjidhë mosmarrëveshjet me të tjerët përmes dialogut dhe negociatave”.
“Ne nuk kërkojmë të zhvillojmë vetëm veten tonë. Ne nuk do të ndjekim zhvillimin pas dyerve të mbyllura”, shtoi ai.
Presidenti i Kinës gjithashtu njoftoi 50 milionë dollarë fonde shtesë për Planin Global të Përgjigjes Humanitare të OKB-së ndaj COVID-19.