Siri, beteja për kontrollin ajror

Forcat opozitare dhe ato të regjimit prej 3 ditësh janë përfshirë në një betejë të ashpër e të përgjakëshme në bazën ushtarake të Tafenazit, në veri të Sirisë. 

Baza përdoret nga helikopterët ushtarakë të forcave besnike të regjimit të presidentit Bashar al-Assad. Ushtarët e “Ushtrisë së Sirisë së Lirë” kërkojnë marrjen nën kontroll të kësaj baze për t’u dhënë fund sulmeve ajrore në zonat veriore të vendit. 

Bombardimet nga ajri janë pika më e fortë e forcave të Assad, ndërsa armatimet kundër-ajrore të rebelëve lënë për të dëshiruar. Ndërkohë, luftime raportohen edhe në al-Ansar, lagje në qytetin e Alepos, prej muajsh shesh-betejë e përplasjes për kontroll mes rebelëve dhe ushtrisë.

Qyteti shihet si një pikë strategjike për kontrollin e veriut të Sirisë dhe pjesës më të madhe të territorit të vendit. 

Ndërkohë në Turqi zbarkuan forcat amerikane me detyrë vendosjen e sistemit anti-raketë patriot përgjatë kufirit me Sirinë. Mediat turke thonë se megjithëse sistemi është në kuadër të NATO-s, ai do të operohet nga ushtria amerikane, ndërsa kontribut në ngritjen e tij dhanë edhe Gjermania dhe Holanda. 

Vendosja e raketave Patriot u bë me kërkesë të Turqisë pas disa viktimave të regjistruara në zonat kufitare të saj me Sirinë si shkak i raketave Scud të lëshuara nga ushtria e Assad./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button