Kujdes në rrugën kufitare Qafë Thanë – Strugë

Rruga magjistrale nga pika kufitare e Qafë Thanës në drejtim të qytetit të Strugës në disa vende shfaqet e dëmtuar dhe me gropa të cilat janë bërë pengesë për qarkullimin normal të mjeteve. Kjo situatë është bërë tmerr për shoferët dhe për ata që duhet të kalojnë për çdo ditë nëpër të.

Madje më keq e kanë për ata shoferë të cilët udhëtojnë për herë të parë dhe nuk janë ambientuar me gropat.

“Më vështirë është kur bie shi” thonë të anketuarit e Portalb.

Më të zëshëm janë taksistët të cilët lëvizin më shumë dhe thonë se rrugët me gropa po i dëmtojnë makinat tyre.

XH. Lumani, qytetar i një fshati në afërsi të kësaj magjistrale thotë se edhe pse kjo rrugë u rehabilitua para disa viteve ajo për një kohë të shkurtër u rikthye në gjendjen e mëparshme me gropa të shumta problematike duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve në drejtim të Shqipërisë.

Ndërkohë në lidhje me këtë shqetësim nga Komuna e Strugës shfajësohen duke thënë se për të duhet të kujdeset  ‘’Makedonija  Pat” dhe jo pushteti vendor. 

Pavarësisht se kush duhet të kujdeset për këtë rrugë është evidente që gropat në të nga dita në ditë po shtohen dhe po pengojnë qarkullimin normal të mjeteve. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button