Rama: Pas 23 Qershorit, Berisha në opozitë

Ekonomia, privatizimet më të fundit, përfshi koncesionet e dhëna nga qeveria Berisha, ishin disa prej cështjeve, në të cilat u ndal kreu opozitës, Rama, gjatë bashkëbisedimit të fundit për 2012-n me gazetarët.

“Si një procedurë grabitjeje dhe jo privatizimi”, kështu e ka cilësuar Rama, nisjen e privatizimit të katër hidrocentraleve. 

“Ne nuk do ta njohim privatizimin e këtyre katër hidrocentraleve. Unë dëshiroj t’ua bëj të qartë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe transparente ofertuesve. Mos shkoni më tutje në këtë proces, ne nuk do të lejojmë që këto pasuri të të gjithë shqiptarëve, të grabiten për llogari të qeveritarëve, që sot nuk arrijnë dot të mbajnë më shtetin në këmbë. Do të ç’bëjmë ato konçensione, që kanë transferuar të drejta në mënyrë korruptive, që kanë cënuar sigurinë e shërbimeve në të gjitha kuptimet dhe nuk kanë plotësuar detyrimet ligjore e kontraktuale”, u shpreh Rama.

Edi Rama foli edhe për sagën e privatizimit të Albpetrolit.“U bë një privatizim i errët, u deklarua një shifër e bujshme. Për ne nuk ishte as e besueshme dhe as e bujshme, sepse praktikisht, mënyra se si u konceptua privatizimi, duke përfshirë brenda edhe një të drejtë ekskluzive të shtetit, nënkuptonte një shifër edhe më të madhe. Megjithatë sot, Albpetroli nuk është as i privatizuar, as i shtetit”, shtoi Rama.

Nuk ka mbetur jashtë vëmendjes së Edi Ramës edhe plani më i fundit rregullues për Tiranën.

“Është një plan katastrofik për kryeqytetin. Është një plan, që praktikisht mbyll me kanate të hekurt çdo dritare të së ardhmes për Tiranën, por, ky është lajmi i keq, lajmi i mirë është që nuk do të ketë kohë, që ai plan të vihet në zbatim, sepse nuk ka asnjë pikë dyshimi, që do ta kthejmë mbrapsht atë plan, si një plan jo vetëm që kërcënon të ardhmen e Tiranës, por fyen inteligjencën e çdo njeriu të zakonshëm, me një minimum njohjeje për zhvillimin urbanistik”, tha Rama.

I pyetur nga Top Channel, se sa e sigurt do të jetë vota e shqiptare në zgjedhjet e 2013-s, Rama dha këtë përgjigje.

“Ju siguroj që, me apo pa mandatin e Kukësit, PD është e destinuar të shkojë në opozitë dhe do të shkojë në opozitë në 23 Qershor. E për këtë nuk ka pikë dyshimi. Kjo qeveri nuk është as demokratike dhe as e aftë për të garantuar zgjedhje të lira dhe demokratike. Dhe keto prova nuk jane provat e pafuqise se opozites sepse opozita nuk mund te shkoje ta marre me dhune mandatin e kukesit, por jane prova qe duhet t’i tregojne cdo shqiptari se duhet te beje pjesen e vet per ta larguar me vote me vote me vote kete Qeveri. Për këtë arsye, duhet që të garantojmë një pjesëmarrje, më të gjerën pjesëmarrje që është garantuar, që pas dërrmës që iu dha regjimit komunist, për të kapërcyer çdo mal të mundshëm paudhësish dhe manipulimesh, që mund të organizojë qeveria” u shpreh Rama.

Bashkëbisedimin me gazetarët, Edi Rama e mbylli duke folur edhe për retorikat nacionaliste në politikën shqiptare, të cilat i quajti si primitive dhe kërcënuese për imazhin e Shqipërisë në Ballkan, duke theksuar se bashkimi i shqiptarëve nuk mund të bazohet te tezat e nacionalizmit të së shkuarës. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button