Ka ndërruar jetë vajza e Nelson Mandelas, Zindzi Mandela

Ambasadorja e Afrikës së Jugut në Danimarkë, Zindzi Mandela, ka vdekur në moshën 59-vjeçare, raportuan mediat lokale të hënën herët, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zindzi, vajza më e vogël e revolucionarit kundër aparteidit Nelson Mandela dhe bashkëshortes së tij Winnie Madikizela, ndërroi jetë në një spital në Johannesburg, raportoi SABC News.

Shkaku i vdekjes së saj nuk është zbuluar ende.

E njohur për aktivizmin e saj politik dhe shoqëror, ajo u emërua si ambasadore e Afrikës së Jugut në Danimarkë në vitin 2014.

Nëna e katër fëmijëve ishte autore e libirt “Black As I Am”, të botuar për herë të parë në vitin 1978.

E rritur dhe e shkolluar në Afrikën e Jugut dhe Swaziland, Zindzi kaloi shumë vite e përfshirë në luftën për liri të Afrikës së Jugut, ndërsa ndërmori role të ndryshme në arte, filantropi dhe biznes.

Tobias Elling Rehfeld, ambasadori i Danimarkës në Afrikën e Jugut, tha se është “i trishtuar” për lajmin rreth vdekjes së Zindzi-t.

“Jam shumë i trishtuar kur mësova se Ambasadorja Zindzi Mandela ka ndërruar jetë. Zindzi ishte një kolege e dashur që punonte pa u lodhur dhe me buzëqeshje ka ushqyer dhe rritur miqësinë e fortë midis Afrikës së Jugut dhe Danimarkës. Ngushëllimi im i thellë për Familjen Mandela”, ka shkruar ai në Twitter.

Vdekja e saj vjen një javë para Ditës Ndërkombëtare të Nelson Mandelas, përkujtimit vjetor më 18 korrik të ditëlindjes së ish-presidentit. Dita u shpall zyrtarisht nga Kombet e Bashkuara në nëntor të vitit 2009.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button