Komuna e Gostivarit mbajti seancën e fundit, sigurohen para për KF ‘Gostivari’

Në seancën e Këshillit të Komunës së Gostivarit, në rend dite u gjetën disa propozim-programe, propozim-vendime dhe propozim-konkluzione të rëndësishme, njoftojnë nga kjo komunë.

Këshilltarët me shumicë votash miratuan llogarinë vjetore të buxhetit të Komunës së Gostivarit, raportin financiar të NP “Komunalec” – Gostivar për periudhën 1 janar – 30 qershor 2012 dhe vendimin për kriteret e shpërndarjes së bllok dotacioneve për arsimin fillor dhe të mesëm për vitin 2013.

Njëzëri këshilltarët dhanë dritë jeshile për asistencë financiare në lartësi prej 40 mijë eurosh për KF “Gostivari” në katër muajt e ardhshëm, si dhe sollën vendim për vërtetim të projekt-planeve detale urbanistike për pjesë të bllokut 12, pjesë të bllokut 17/10 për qytetin e  Gostivarit dhe jashtë vendbanimeve.

Gjithashtu në seancën e 37-të, anëtarët e Këshillit të Komunës së Gostivarit miratuan vendimin për kushtet dhe mënyrën e furnizimit me ujë të pijshëm dhe bartjen e ujërave të zeza urbane, si dhe dhanë dritë jeshile për inkroporim të disa objekteve pa leje në dokumentacionin urbanistik.

Duke qenë se kjo ishte edhe seanca e fundit e kësaj përbërjeje të Këshillit të Komunës së Gostivarit, kryetari i këshillit Fadil Zendeli falënderoi këshilltarët për punën efikase dhe bashkëpunimin korrekt gjatë këtij mandati. Falënderim për bashkëpunimin, shprehën edhe koordinatorët e grupeve parlamentare.

Lajme të ngjashme

Back to top button