Trump paralajmëroi se do ta zhvendosë konventën e partisë së tij në shtet tjetër
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, paralajmëroi se mund ta zhvendosë konventën e Partisë së tij Republikane nga Karolina e Veriut, për shkak të kufizimeve nga koronavirusi atje, shkruan REL.
Karolina e Veriut është ende në fazën e dytë të rihapjes dhe tubimet e mëdha i ka ende të ndaluara.
Konventa e Partisë Republikane është paraparë të mbahet në muajin gusht.
Pandemia e koronavirusit ka bërë që Trump dhe kandidati i pritshëm demokrat për president të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, t’i anulojnë tubimet e fushatave.
Disa kanë shprehur shqetësimet se konventat e partive, që zakonisht janë të mbushura me delegatë, mund të nxjerrin probleme për shëndetin.
Përmes një postimi në Twitter, Trump tha se nëse guvernatori demokrat i Karolinës së Veriut, Roy Cooper, nuk përgjigjet menjëherë “nëse do ta lejojë ose jo mbushjen e hapësirës [me njerëz]”, atëherë partia e tij do të gjejë një vend tjetër për mbajtjen e konventës.