Më në fund, kryeministri do t’i dëgjojë mjekët grevistë

Kryeministri Nikolla Gruevski ka vendosur që sonte t’i pranojë mjekët grevistë dy javë pasi që ata i parashtruan kërkesë atij për t’i pranuar dhe për ta njoftuar atë me qëndrimet dhe pozitat e tyre në lidhje me grevën.

Mjekët specialistë thonë se janë të gatshëm për takimin, pasi që një gjë të tillë ata prisnin që nga dita e parë e grevës, e cila filloi më 14 nëntor pas negociatave të pasuksesshme me ministrin Todorov. 

“Mendoj se kjo është një mundësi e mirë që në mënyrë direkte t’ia shpjegojmë kryeministrit Gruevski se çfarë mendojmë ne, cilat janë përvojat nga ky model, cilët janë elementet e dëmshme të tij, si dhe t’i sugjerojmë disa mënyra se si i njëjti mund të korrigjohet. Mendojmë se mund të  vijë deri te një kuptim ose fillim i bisedimeve për arritjen e një marrëveshjeje”, u shpreh kryetari i Sindikatës së pavarur, Dejan Stavriq në protestën e sotme të mbajtur para Qendrës klinike.

Përkundër qëndrimeve këmbëngulëse të kryeministrit se në asnjë rast nuk do të  hiqet dorë nga ky  model, mjekët deklaruan se asnjë prej tyre nuk është kundër rrogës sipas kontributit, por dëshirojnë që ky sistem të pësojë disa ndryshime dhe korrigjime.

Mjekët gjithashtu do ta shfrytëzojnë këtë takim për t’ia shprehur kryeministrit pakënaqësinë nga përmbajtjet ofenduese të reklamave të cilat ditët e fundit filluan të emetohen në televizion, të cilat kanë të bëjnë me krahasimin diletant të mjekëve të cilët punojnë dhe atyre të cilët nuk punojnë.

Sipas specialistëve, truqet të cilat bëhen në këto reklama paraqesin ofendim për profesionin e tyre dhe do të kërkojnë nga Kryeministri Gruevski të njëjtat të hiqen nga transmetimi./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button