Revizioni zbuloi një sërë shpërdorimesh në punën e NP “Parkingu i Qytetit – Tetovë” në vitin kur dha dorëheqje drejtori

Ndërmarrjes Publike (NP) “Parkingu i Qytetit – Tetovë”, nuk i ka treguar në mënyrë të drejtë dhe objektive të gjitha aspektet financiare dhe materiale të punës, edhe pse e ka pasur obligim ligjor, nuk ka kryer regjistrim të patundshmërive, inventarit, pajisjeve, mjeteve jomateriale (patentat dhe licencat), mjetet financiare, ka marrë borxh prej 50.000 euro në mënyrë të paligjshme duke mos treguar se ku do t’i harxhojë paratë, ka harxhuar për telefonat zyrtarë afër 10.000 euro. Këto janë vetëm një pjesë e shkeljeve të cilat janë të theksuara në raportin e revizionit për vitin 2018-të për punën e NP “Parkingu i Qytetit – Tetovë”, shkruan Portalb.mk.

Enti i Revizionit Shtetëror (ERSh) ka dhënë mendim negativ për punën e NP “Parkingu i Qytetit – Tetovë” gjatë vitit 2018-të, gjegjësisht në vitin kur dha dorëheqje drejtori i saj, Fejsal Beadini, pasi që gjatë kryerjes së revizionit, ka konstatuar një sërë shkeljesh ligjore.

Revizorët e kanë vlerësuar punën e NP-së me notë negative pasi që sipas tyre, raportet financiare nuk i tregojnë në mënyrë të vërtetë dhe objektive, të gjitha aspektet materiale financiare të NP “Parkingu i Qytetit – Tetovë”, por edhe suksesin financiar dhe rrjedhën e parave për vitin 2018-të. Ata shtojnë se transaksionet financiare dhe informatat e reflektuara në raportet financiare të NP “Parkingu i Qytetit – Tetovë”, në të gjitha aspektet materiale nuk janë në pajtueshmëri me rregulloren relevante ligjore, udhëzimet dhe politikat e vendosura.

Portalb ua sjellë disa prej shkeljeve që i ka gjetur revizori në punën e NP “Parkingu i Qytetit – Tetovë”:

  1. NP “Parkingu i Qytetit” nuk ka sistem të kontrolleve të brendshme dhe nuk janë miratuar procedura për lëvizje të dokumenteve dhe sistem për ndjekje dhe kontroll të dokumentacionit të kontabilitetit me kompetenca dhe përgjegjësi të definuara dhe kufizuara qartë.
  2. Nuk janë përgatitur politika dhe raporte kontabiliste dhe raporte për rrjedhën e parave me të cilat është e nevojshme që të sigurohet koezistenca, vazhdimësia dhe ligjshmëria në shfaqjen e të gjitha ngjarjeve financiare dhe kontabiliste.
  3. Nuk është nënshkruar marrëveshje mes kryetari të Komunës së Tetovës dhe drejtorit të ndërmarrjes publike në të cilën do të konstatoheshin të drejtat, obligimet dhe përgjegjësitë e ndërsjella.
  4. Janë konstatuar parregullsi gjatë llogaritjes së rrogave të të punësuarve në ndërmarrjen publike.
  5. Ndërmarrja publike ka hyrë në borxh pa akt të miratuar nga ana e Bordit Udhëheqës dhe themeluesit – Komuna e Tetovës.
  6. Vlera e kapitalit nuk është e regjistruar në Regjistrin e Vetëm Tregtar dhe në regjistrin e personave tjerë juridik në Regjistrin Qendror të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
  7. Nuk është kryer regjistrim i patundshmërive, inventarit, pajisjes, mjeteve jomateriale (patentat dhe licencat), mjetet financiare, por edhe të mjeteve dhe obligimeve aktuale. Regjistrimi është obligim ligjor që të kryhet një herë në vit.
  8. Nuk është vënë në funksion operacioni i thesarit, në pajtueshmëri me dispozitat ligjore,, ndërkaq janë konstatuar edhe dallime mes mjeteve në para të treguara në Bilancin për gjendjen e llogarisë në bankë.
  9. Gjatë furnizimeve të mallrave dhe shërbimeve nuk është respektuar në tërësi Ligji për Furnizime Publike.
  10. Për këto gjetje, Enti i Revizionit nga ana e personit përgjegjës të NP “Parkingu i Qytetit – Tetovë” nuk ka marrë vërejtje për draft-raportin e revizorit të autorizuar shtetëror.
Tetovë, parkimi zonal do të vendoset pas zgjedhjeve
Foto arkiv, parkim zonal në Tetovë

Revizioni gjithashtu ka konstatuar edhe shkelje tjera si për shembull:

  • Nuk janë plotësuar vendet e punës në Sektorin për Punë të Përgjithshme, pozitat udhëheqëse dhe vendet tjera të punës.
  • Nuk është miratuar akt për person të autorizuar i cili do ta ndjekë realizimin e marrëveshjeve të nënshkruara me operatorët ekonomik pas procedurave të zbatuara për furnizime publike.
  • Revizioni gjithashtu ka zbuluar raste kur NP “Parkingu i Qytetit”, u ka paguar të punësuarve orë jashtë orarit të punës për ditën e shtunë, ndërkaq i punësuari nuk ka qenë i evidentuar në fletoren për orar të punës.
  • Parkingu i Qytetit – Tetovë ka marrë borxh 3.4 milionë denarë (55.000 euro) pa vendim paraprak të Këshillit të Komunës dhe Bordit Udhëheqës. Pos kësaj, nuk ka treguar se për çfarë do t’i përdorë mjetet.
  • Ndërmarrja Publike nuk ka miratuar akt me të cilën rregullohet shfrytëzimi i telefonave zyrtarë. Gjatë vitit 2018-të, për këtë qëllim janë paguar mjete me vlerë prej 601.000 denarë (9.700 euro) një operatorit ekonomik për shfrytëzimin e telefonisë celulare.
  • Në vitin 2018-të, pa procedurë për furnizime publike është kryer furnizim të mallrave dhe shërbimeve me vlerë prej 1.855.000 denarë (30.000 euro) për furnizim të shërbimeve me automjet special – karrotrec, servisim të automjeteve – karrotrec dhe për pjesë kompjuterike dhe programe me mirëmbajtjen e tyre në mënyrë të parregullt.

Revizioni kumton se NP “Parkingu i Qytetit – Tetovë” nuk ka dërguar asnjë vërejtje në lidhje me gjetjet e revizorit. Ata gjithashtu dhënë rekomandim që të gjitha këto gjetje të përmirësohen në periudhën në vazhdim.

Raportin e plotë të Revizionit mund ta gjeni: KËTU.

Kush udhëhoqi me NP “Parkingu i Qytetit – Tetovë”?

Fejsal Beadini
Fejsal Beadini, foto: Facebook

Që nga themelimi i NP “Parkingu i Qytetit – Tetovë”, me çka edhe filloi aplikimi i parkimit zonal, në krye të saj ka qenë Fejsal Beadini. Mu në vitin e revizionit, gjegjësisht më 25 qershor, Beadini ka dhënë dorëheqje, pasi që paraprakisht disa punëtorë të ndërmarrjes me letër publike i nxorën në pah keqpërdorimet që sipas tyre, bëheshin në këtë ndërmarrje. Në vend të tij u emërua drejtor, Sadat Alili, i cili edhe sot e kësaj dite e ushtron këtë detyrë.

Nga Komuna e Tetovës, në lidhje me denoncimin e punëtorëve deklaruan, se parimi i udhëheqjes me duart e pastra, është postulat i qeverisjes së tyre.

“Sigurisht që ne denoncimin në fjalë e kemi marrë parasysh, duke e analizuar me kujdes për sa i takon kredibilitetit të vërtetësisë, dhe së shpejti si udhëheqësi do të reflektojmë ditëve në vijim, shumë shpejt ndryshimi do të vërehet në prizmin organizativ të Ndërmarrjes në fjalë. Parimi i qeverisjes me duart të pastra, është postulat i padiskutueshëm i Komunës së Tetovës”, thanë për Portalb.mk, nga Komuna e Tetovës.

Por, 1 vit pas rastit, gjegjësisht në fund të korrikut të vitit 2019-të, pavarësisht deklarimeve, kryetarja e Komuns së Tetovës, Teuta Arifi, e “rehatoi” Beadinin, me pozitë drejtori në Ndërmarrjen Publike “Tetova Transport”, e cila ende nuk është funksionale, pasi që Tetova ende nuk ka transport publik.

Ankesat e punëtorëve në vitin 2018-të, drejtuar kryetares së Komunës së Tetovës:

  1. Ne fillim kur u formua ishte krenaria e juaj dhe në çdo paraqitje publike nuk e anashkalonit, u formua kah fundi i vitit 2015 me siguri u shkon ndërmend se për çka flas por nëse nuk jeni ne dijeni po jua rikujtoj behet fjale për N.P “Parkingu i Qytetit – Tetovë”.
    Me përmallim kujtojmë fillimet e saja se edhe ne si punëtor te thjeshtë ndjeheshim krenar dhe te ua them te drejtën se mezi pritnim të tregojmë qe edhe ne jemi pjese në krijimin e kësaj ndërmarrje, por dalë-ngadalë me kalimin e kohës si dhe me lënien e të njëjtës pas dore nga ana e juaj erdhi koha qe unë të jem vetëm përshkrues i situatës përmes kësaj letre.
  2. Krenaria e juaj tani është transformuar në fole te krimit dhe nëse do te kishit pak interesim vetëm me një kontrollim dhe atë sipërfaqësor do të vërtetoheni me këtë konstatim.
  3. Moskontrollimi i juaj apo mungesa e një mekanizmi kontrollues nga ana e juaj solli që deri sa ne si punëtor kryejmë detyrimet tona dhe presim rrogat e muajit mars, menaxhmenti i akredituar nga ana e juaj feston 1 Majin edhe atë familjarisht ne Durrës te Shqipërisë.
  4. Me buxhetin e ndërmarrjes bëhet rregullimi dhe regjistrimi vjetor i veturave private te disa punëtoreve qe janë bashkëpunëtorë të tyre.
  5. Dënimi i bllokatorit është selektiv, të njëjtin e paguan vetëm i varfëri ndërsa te gjithë ata që kane edhe një lidhje më të vogël me menaxhmentin lirohen pa pagese, brenda ditës mund lirisht te them se numri i tyre kalon 10.
  6. Një numër i madh i lëshimeve bëhet me dhënien e llogarive fiskale, me pretekst se te njëjtën do e paguaj menaxhmenti.
  7. Drejtori i juaj i sapoemëruar gati një vit e huazon (me qira) veturën private dhe për të njëjtën merrte një shumë te majme kompenzimi ,dhe ne fund vetura u zhduk sikur mos me qene fare.
  8. Njeri nga kamionët që ne i quajmë merimangë është i marrë gati dy vjet me qira me një shume marramendëse, ndërsa përfitimet nga merimanga nuk i mbulojnë harxhimet vetëm të qirasë e jo diçka më tepër.
  9. Disa nga punëtoret në terren, me theks të veçantë disa punojnë për vete me bekimin e menaxhmentit.
  10. Hierarkia e ndërmarrjes nuk funksionon, me një fjalë çdo kush është drejtor pasi që drejtori nuk është gati se asnjëherë në zyrë.
  11. Kanë formuar ves kampimi dhe gati se për çdo vikend me disa nga punëtorët shkojnë në kampim për peshkim me te gjitha pajisjet që edhe ndonjë kampist me përvoje do ua kishte zilinë.
  12. Sistemi apo programi i bërë enkas për këtë ndërmarrje është vetëm sa për sy e faqe, aspak nuk përdoret nga ana e punëtoreve kuptohet me bekimin e menaxhmentiti nga kjo nënkuptohet se thjeshte bëjmë inkasimin e popullit.
  13. Orari i punës nuk respektohet fare nga ana e tyre dhe njëkohësisht edhe nga punëtorët, prandaj pala për të kryer një shërbim të vogël duhet te zvarritet me ditë apo të shprehem me sakte me javë te tera.
  14. Në parkingjet e mbyllura janë dhëne kartela vjetore më tepër sa mund të mbajnë të njëjtit..
  15. Është duke shkuar muaj qershor ne presim akoma rrogat për muajin prill.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button