Huliganët maqedonas rrahin brutalisht një student shqiptar

Një student shqiptar nga Studeniçani i Shkupit dje pasdite është rrahur brutalisht nga huliganë maqedonas në lagjen Draçevë të Shkupit.

Ai është Nehat Rexhepi, 20 vjeçar, student i Fakultetit të Bujqësisë në Shkup, i cili për INA rrëfen tmerrin dhe brutalitetin e përjetuar nga grupi i huliganëve maqedonas, një pjesë e të cilëve dyshohet se janë nxënës të shkollës së mesme në lagjen Draçevë. 

“Sapo kam zbritur nga autobusi nr.41 në lagjen Draçevë, një grup të rinjsh më kanë sulmuar dhe më kanë rrahur deri në alivanosje. Kanë rastisur disa pleqë që kanë ndërhyrë për të larguar huliganët. Edhe pse aty pari shpesh herë ka policë, u detyrova që rastin ta paraqes në MPB dhe më pas kanë ardhur policët e stacionit policor të Draçevës që janë njoftuar me incidentin”, theksoi për INA, Nehat Rexhepi, i cili menjëherë pas rrahjes brutale i është nënshtruar trajtimit mjekësor në Klinikën e Shkupit. 

Ai thekson se ka lëndime në kokë dhe trup dhe kjo është konstatuar edhe nga mjekët.

“Ndjehem i sëmurë keq dhe në gjendje të rëndë stresi. S`dij se si do të vazhdojë kjo pasiguri dhe këto incidente”, nënvizon studenti shqiptar. 

Ky incident është vazhdimësi e incidenteve të fundit ndëretnike, ku vetëm dy ditë më parë u rrahën brutalisht dy studentë turq në Shkup. /portalb//INA/

Lajme të ngjashme

Back to top button