Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës i reagoi Rusisë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kundërshtoi reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Federatës Ruse mbi vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për fillimin e vendosjes së masave graduale të reciprocitetit në raportet ndërshtetërore me Serbinë, njofton RTV 21, transmeton Portalb.mk.

“Republika e Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, e vendosur për raporte të mira me të gjithë fqinjët e vet. Në këtë kontekst, edhe marrëdhëniet me Serbinë do të ndërtohen mbi parimin reciprocitetit, si e vetmja formë legjitime e ndërtimit të raporteve të barabarta ndërshtetërore. Masat reciproke të Kosovës janë vetëm pasqyrim i pengesave dhe barrierave të shumta që Serbia ka vendosur ndaj shtetit të Kosovës.”, thuhet në reagimin e ministrisë.

Tutje në reagim, MPJD tha se Kosova ende nuk ka filluar të zbatojë gamën e gjerë të pengesave që Serbia aplikon ndaj Kosovës, duke i ofruar mundësi Serbisë të reflektojë dhe t’i heqë barrierat dhe pengesat ndaj Kosovës.

“ Marrëdhëniet mes shteteve tona nuk mund të normalizohen në mënyrë të njëanshme, por duhet të pasqyrojnë vullnetin reciprok të të dyja palëve.Kosova ka dëshmuar vullnetin e saj për përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë, ndërkaq tani i mbetet Serbisë t’i heqë barrierat dhe ta ndalë agresionin diplomatik ndaj Kosovës.”, përfundon reagimi.

Ministria e Jashtme e Rusisë përmes një deklarate, ka shprehur qëndrimin lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës në detyrë, për heqjen e tarifës ndaj mallrave serbe dhe vendosjen e masës së reciprocitetit.

“Autoritetet në Prishtinë vazhdojnë të manipulojnë me temën e heqjes së tarifave doganore 100 për qind për mallrat nga pjesa qendrore e Serbisë, të cilat u vendosën në nëntor 2018, dhe rezultuan që procesi i zgjidhjes së çështjes së Kosovës të ndalet”, thuhet në deklaratë.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button