“Covid-19” dhe kriza në familjen e shekullit 21

Familjet e shekullit 21 apo familjet e epokës së globalizimit po marrin një drejtim të ri si pasojë e zhvillimit rapid të industrisë, teknologjisë, qasjes me informata të ndryshme rreth çdo sendi, dukurie apo problematike. Me termin “familja e shekullit 21” ndryshojnë rolet dhe perceptimi për anëtarët e familjes. Format stereotipive si “burri fitues i bukës” dhe “gruaja kujdestare e shtëpisë dhe e fëmijëve” gjithnjë e më tepër po rrallohen si rezultat i emancipimit të gjinisë femërore. Në shumicën e vendeve familjet i përmbushin kërkesat për mbijetesë duke punuar dhe sjellë të ardhura të dy kokat e familjes (prindërit).

Gjithashtu edhe fëmijët kur arrijnë moshën madhore për shumë arsye do fillojnë një marrëdhënie pune me ç’rast fillojnë hapat e parë të pavarësimit të tyre. Sipas Angie Blackwell, e specializuar për dinamikat e familjes, për prindërimin dhe ndërmjetësimin efektiv, sot, familja e zgjeruar është në listën e specieve në rrezik.

Familjet e shekullit XXI ndryshojnë jashtëzakonisht në formë dhe vëllim: divorci, rimartesa, prindërimi pa bashkëshort/e i kanë bërë demode madje edhe familjet bërthamë. Ne gjysmën e dytë të shekullit 20, fëmijët janë rritur me dy prindërit biologjikë dhe me mbështetjen e anëtarëve të familjes së zgjeruar, kurse sot një pjesë e mirë e fëmijëve rriten pa njërin prind.

Sot trende të përhapura gjithandej janë kohabitimi apo bashkëjetesa, kurse të dukshme janë edhe partnerët e seksit të njëjtë e të ngjashme. Dukuri të këtilla ndodhin si rezultat i liberalizimit të tepërt të njerëzve në formën se si ata do ta organizojnë jetën e tyre. Sipas mendimit tim shfrytëzimi joracional i lirisë na çon drejt humbjes së saj. Në rast konkret kemi virusin i cili po shkakton tmerrin më të madh në botë nga mbarimi i luftës së dytë Botërore. Edhe në këtë rast si rezultat i shfrytëzimit jo të drejtë dhe joracional të lirisë bota po përjeton krizë shëndetësore, arsimore, ekonomike, psikologjike, etj.

Situata momentale me virusin Covid 19 përveç krizave të lartpërmendura do të prodhoj edhe krizën familjare me çka do të ndryshojnë edhe marrëdhëniet midis anëtarëve të një familje. Po marrim një shembull: Në bazë të krizës së krijuar kompani të ndryshme çdo ditë po zvogëlojnë vëllimin e të punësuarve, me çka personi i larguar nga puna mund të jetë prindi i ndonjë 14 vjeçari i cili ende ka nevojë për përkrahjen prindërore, kurse nga ana tjetër përmbushja e kërkesave bazë për jetesë nuk mund te arrihet vetëm me të ardhurat e njërit prindi, kështu që automatikisht krijohet edhe një krizë në marrëdhëniet familjare.

Në vende të zhvilluara këto lloj krizash kalohen më shpejtë si rezultat i sigurisë juridike që e kanë punëtorët qoftë në sektor privat apo publik, ndërsa në vendet me zhvillim të zbehtë, përveç një kolapsi shëndetësor, arsimor, ekonomik, psikologjik nënkuptohet edhe kolaps të marrëdhënieve familjare. Këto situata mund të çojnë në numër divorcet, tkurrje demografike, etj.

Në përkeqësim dhe thellim të krizës në marrëdhëniet familjare ndikim kanë edhe serialet e ndryshme që kanë krijuar një klientelë gjithëballkanike dhe përtej, që gjejnë “kurbanë” te grupet e ndryshme moshore që lidhen pas tyre në mënyrë marramendëse, që bëhen ndjekës të pasionuar dhe shpeshherë skemat e serialeve mundohen t’i jetësojnë në përditshmërinë e tyre, gjë që shkakton tërmete familjare, zënka, tradhti, divorce etj.

Krizat në marrëdhëniet familjare  janë të vjetra, shënohen në çdo periudhë të historisë njerëzore, por sot me përmasa më të mëdha.

Liria e tepërt po ja merr komandën njerëzimit, njerëzit po humbin qenien njerëzore ndaj çdo gjëje. Vetëdijësimi i njerëzve ndaj dukurive që po ndodhin është ne nivel fillestar dhe mendoj se shteti duet të përdor mekanizma tjerë për këto sjellje të njerëzve. Duhet ndërtuar politika arsimore me vlera, jo shkollim ultra- permisiv, as edukim masovik libertinist, me çka do të krijohen vlera edukativo arsimore dhe vlera akademike. Shëndeti i shoqërisë tonë varet prej edhe prej vetë familjeve, bashkësive fetare, medias dhe individëve të ndërgjegjshëm, prej aktivizmit të OJQ-ve në këtë drejtim etj.

Të mundohemi dhe të shpresojmë se gjithçka do të shkojë ashtu siç duhet të bëhet, vetëm le të jetë për të mirën e të gjithëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button