QEVERISJE NË KOHËN E CORONAVIRUSIT

Kur bota dhe populli ynë në këto ditë të vështira është duke u përballur me luftën e përditshme të rëndë, të jetës dhe ekzistencës, me armikun e padukshëm Covid 19, veprimet politike të pa hijshme në Kosovë shpalojnë oreksin e individëve të mbrapshtë, për të përmbytur qeverisjen e re të Albin Kurtit (Lindur 24 Mars 1975).

Kështu në mënyrë të vrazhdë e të pa civilizuar në skenën politike manifestohen qëndrime tendencioze të disa partive dhe politikanëve të papërgjegjshëm për ta rrëzuar këtë frymë të re qeverisëse, frymë e cila tanimë erdhi në skenën politike pa bagazh kriminaliteti e nepotizmi kulturor të hidhur.

Është gjeneratë që duan të sjellin në skenën politike standarde të reja zhvillimi shoqëror. Te çdo popull njëherë në 100 vjet lindin individë të këtillë që marrin në duar timonin e Atdheut për në drejtim të duhur dhe për një cak të caktuar ekzistencial. Erdhi tanimë ajo frymë sublime ku inkarnohet dija dhe guximi i vërtetë.

Të paditurit dhe të korruptuarit janë kundër kësaj fryme përparimtare. Ata qëndisin shumë skena ogurzeza pas shpine, bëjnë çmos në dëm të shtetësisë së Kosovës. Ata duan rrëzimin e qeverisë së posa formuar, gjoja se është e pa aftë për të marrë vendime të duhura politike të kohës, posaçërisht për t’i marrë detyrat kyçe të shtetit. Ndaj veprimet skandaloze dhe të pa përgjegjshme të tyre, me të cilat përballet ditëve të fundit Kosova, janë skenarë tendencash individësh të përgatitura mirë nëpër kuzhina armiqësore të sofistikuar mirë.

Këta njerëz të mbrapsht, të koordinuar tinëzisht për interes grupor, gjoja me përvojë të gjatë politike, a nuk e dinë se si zbatohen urdhrat dhe ligjet për vendime serioze të shoqërisë dhe popullit? A nuk e shohin gjendjen politike se në çfarë rrethanash politike rajonale jemi, ku vihet në pah edhe ekzistenca e një populli? Ata të pa vetëdijesuar e dinë këtë refren politik fortë mirë, por në kafkat e tyre të sofistikuara veprojnë viruset e tmerrshëm për ta ngujuar në vete politikën e interesit dhe shfrytëzimit dhe zhvatjes së përhershme të të mirave qytetare.

Ata duan të jenë të përjetshëm në skenën politike edhe pse kondicioni i tyre ka rënë kaherë. Duket qartë se kësaj të keqe i shkon për shtati jeta fisnore dhe niveli intelektualë mediokër që ka zhvilluar dhe mbërthyer vendin këtyre viteve të fundit nëpër të gjitha poret e jetës. Këta individ bëjnë çmos që të mbijetojnë dhe uzurpojnë vende kyçe në shoqëri. Madje kreativiteti i tyre i dobët nëpër institucione dhe lakmia e tyre për të qëndruar edhe më tej nëpër poste leverdish zhvatëse, të pranuara nga individ pa merita dhe pa nivel të duhur profesional, bëjnë çmos ta mbajnë praninë e tyre në ‘’Status quo’’, sidomos qytetarin dhe shtetin ta shfrytëzojnë deri në skajshmëri marramendëse.

Ata nga dita në ditë rekrutojnë edhe bijtë e tyre nëpër pozicione të leverdishme interesi dhe bëhen miop para qytetarëve që jetojnë me vështirësi të mëdha ekzistence. Këta mjeran nuk kanë qenë të aftë 300 mijë vende pune t’i sigurojnë popullatës së tyre për këto 20 vjet qeverisjeje, prandaj prania e tyre është e rrezikuar .

Toka e Kosovës i ka gjitha të mirat dhe mundësitë për të qenë vend i begatshëm dhe i zhvilluar. Po të shfrytëzohen të gjitha resurset ekzistuese të latuar me humus dhe arë, vendi nuk do të kishte varfëri fare. Aty ku nuk zbatohet dija, ligji dhe profesionalizmi i vërtetë nuk mund të ketë zhvillim normal shoqëror. Çfarë shteti i fortë do jesh kur rinia dhe truri i shëndosh e braktisë atë, sikur të ishte vendi një shkretëtirë. Madje kur pensionisti jeton me 70 Euro pagë mujore. Kjo është një çmenduri shoqërore që nuk e kap asnjë radar mendor normal.  Me rrena dhe keqqeverisje nuk ka prosperitet. Pa trurin e shëndosh ngujohen perspektivat dhe mundësitë reale të zhvillimit shoqëror. As pasuria pa mbulesë nuk bën zhvillim dhe ngritje të duhur standardi, bile as ato arritjet të përkohshme e të paligjshme të ngritura si piramidë, një ditë do të fundosen keq kur të funksionoj ligji si duhet. Ata që e duan shtetin  dhe ligjin duhet ta pranojnë edhe ndryshimin politik demokratik.

Tani politika e re dhe qëndrimet e marra për çështje serioze kanë edhe hierarkinë të vendimmarrjes. Nuk shkohet në kokë më vete pa i koordinuar dhe zbatuar detyrat dhe përgjegjësitë që i takojnë gjithsecilit. Sidomos tani në këto kohë të vështira, kur populli sfidohet me të keqen e përgjithshme të epidemisë vrastare. Ku në rang global janë regjistruar me mija viktima dhe shumë të tjerë të prekur nga Coronavirusi, në 127 vende të botës.

Shteti fqinjë, Italia, deri më tani i ka 1266 viktima, kurse njerëz të pa emancipuar këtu te ne, kërkojnë rrëzimin e qeverisë së porsaformuar. Mocioni i tanishëm kundër Albin Kurtit është prapavijë e keqe për ndarjen e Kosovës. Këtë betejë ogurzezë e dëshirojnë armiqtë dhe kamikazët puçist politik që nuk ia duan të mirën vendit. Ndoshta këtë e bëjnë për të shpëtuar veten, por në dëm të shtetit tërësor të Kosovës. Të merresh me këto vendime të mbrapshta politike, në kohë lënxhire, do të thotë se nuk ke të bësh fare me Atdhedashuri, apo kodeksin njerëzorë, të normave juridike të së drejtës shoqërore.

Tani mund të themi se shkarkimi i Agim Veliut nga posti i Ministrisë së brendshme është i drejtë, pa marrë parasysh kontrata dhe marrëveshjet politike LDK dhe VV. Te shtetet normale për çdo individ ka zëvendës. Gjithsecili mund të shkarkohet një ditë nga posti i emëruar, nëse punën dhe detyrën e vet nuk e kryen si duhet dhe sipas programit qeverisës brenda një afati të caktuar. Ministrat duhet t’i zbatojnë urdhrat marrëveshjes së kësaj qeverie vepruese për t’i arritur qëllimet e veta programore dhe jo të veprojnë në mënyrë stihie, në kokë të vetë, ku dëmtohet shteti dhe shoqëria. Kurse në rrethana të caktuara emergjence nuk mund të jepet vendim paushall, pa u marrë veshtë me Kryeministrin dhe kryesinë e parlamentit. Çdo thyerje e këtyre rregullave ligjore bie çrregullime qeverisëse jonormale. Gjendjen e jashtëzakonshme është vendim që duhet ta marrë Qeveria.

Posaçërisht tani kur duhet të merren vendime preventive për qytetarët. Shumë qartë theksohet te neni 94 pik 2 i Kushtetutës së Kosovës, ku ‘’Kryeministri siguron që të gjitha Ministritë të veprojnë në pajtim me politikat qeveritare’’. Besoj se këtë ligj njerëzit kompetent e kanë të qartë. Pastaj të vësh kushte të përhershme partnerit tënd të rrugëtimit politik, do të thotë t’i bësh puç qeverisjes sate që je dakorduar paraprakisht me vetëdije për koalicion të shëndosh. Të bësh ultimatume sa herë të të kujtohet, është gabim i madh dhe nuk je ne rrjedhat e vendimeve të mirëfillta politike. Zotëri Kurti është kryeministër i zgjedhur me votat e qytetarëve, ndaj Isa Mustafa duhet t’u bindet vendimeve të kryeministrit. Presionet nuk janë të mira, ato sjellin ç’kurorëzim interesash që të çojnë në rrugë qore dhe mossuksese.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button