Koronavirusi kundrejt fushatës

Me katër rastet e reja të sotme, numri i të prekurve nga koronavirusi në RMV zyrtarisht u zmadhua në gjithsej 13-të persona. Mirëpo, opinioni në RMV me padurim po i pret rezultatet nga infektimet e mundshme nga ish-drejtoresha e Klinikës së Shkupit për sëmundje të lëkurës, e cila edhe përskaj simptomave të këtij virusi, pa i respektuar protokollet zyrtare, pas kthimit nga skijimi në Itali, u paraqit në punë rreth një javë, duke vënë në rrezik shëndetin e mbi 200 personave të tjerë, të cilët sot janë në izolim shtëpiak.

Ky rast i sjelljes së pandërgjegjshme, e hapi fuqishëm dilemën nëse, shëndetësia e vendit tonë ka kapacitete që të përballet me kanosjet e koronavirusit, sidomos kur sjelljet e tilla vijnë nga udhëheqësit e shëndetësisë?!

Në takimin e djeshëm te kryeministri teknik z. Spasovski, liderët politikë u dakorduan që zgjedhjet e 12-të prillit të mos shtyhen, dhe që kampanja zgjedhore të zhvillohet në pajtim me masat institucionale për parandalimin e koronavirusit, pra, nuk do të ketë tubime publike, kurse aktivitetet do të transmetohen në media elektronike dhe rrjete sociale deri më 24 mars, pra, një ditë pas fillimit të kampanjës zgjedhore, e cila zyrtarisht fillon më 23 mars.

Dilema kryesore juridike dhe demokratike që shtrohet në këtë situatë, ka të bëjë me faktin se, a mund të ketë kampanjë zgjedhore pa tubime publike, sepse dispozita e nenit 69-a e Kodit zgjedhor, e cila e përkufizon kampanjën zgjedhore, që në fillim përcakton se, kampanjë zgjedhore konsiderohen tubimet publike, pra për Kodin zgjedhor prioriteti i parë i kampanjës zgjedhore është mundësia që zgjedhësit t’i shohin (pse jo t’i përshëndesin me shtrëngim duarsh, madje edhe t’i përqafojnë) kandidatët në tubime publike.

Po ashtu, meqë RMV nuk e njeh votimin elektronik, atëherë cili do të ishte entuziazmi për të dalë në votime më 12-të prill, meqë zgjedhjet nuk do jenë njësoj të suksesshme dhe kredibile, nëse do votonin më pak se gjysma e trupit zgjedhor në RMV. Çka me zgjedhësit që nuk përdorin rrjete sociale? A ka kapacitet RMV-ja të organizojë zgjedhje në kushte të kanosjes së koronavirusit të shpallur si pandemi botërore nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për shkak të nivelit alarmant të përhapjes dhe ashpërsisë?

Dalëngadalë koronavirusi jo vetëm që po kanos shëndetin e qytetarëve në RMV, por edhe parimet kyçe të demokracisë zgjedhore, ku padyshim bëjnë pjesë tubimet publike. Prandaj, duket i arsyeshëm apeli i sotëm i Kryetarit të Republikës z. Pendarovski, drejtuar liderëve politik që në ditët e ardhshme t’i rishikojnë edhe një herë, qëndrimet e tyre për mos shtyrjen e zgjedhjeve, sepse shëndeti i qytetarëve është mbi partitë politike dhe interesat e tyre politike.

Nga takimi i djeshëm i liderëve politik tek Kryeministri teknik, z. Spasovski si dhe nga apeli i sotëm i Kryetarit të Republikës z. Pendarovski, tashmë, një gjë është e sigurtë, koronavirusi po e kontrollon ritmin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 12-të prillit në RMV.

(Autori është Profesor ordinar i së drejtës kushtetuese dhe administrative në Fakultetin Juridik të UEJL-së)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button