Armata përkulet para Mehmet Pashë Derallës, mbesa largohet me dhunë
Në vendlindjen e gjeneral Mehmet Pashë Derallës sot para bustit të tij, në fshatin Gradec të Tetovës u përkulën ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë, Fatmir Besimi, bashkë me dy oficerë të ARM-së, ministri i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku , Ministri i mbrojtjes së Shqipërisë, Arben Imami, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Arben Çejku, si dhe një numër i madh i delegacioneve të ndryshme nga Maqedonia dhe Kosova.
Në këtë manifestim fjalën e mori kryetari i komunës së Vrapçishtit, Bajram Kadrija.
“Është për mburrje fakti që ai i cili e themeloi ushtrinë shqiptare ishte nga kjo komunë dhe figura e tij sot është duke u vlerësuar nga të gjithë shqiptarët”, tha Kadrija.
Ndërsa Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoni, Arben Çejku tha se në këtë festë të madhe të shqiptarëve është nder të shprehet respekti dhe nderimi për gjeneralin e ushtrisë shqiptare Mehmet Pashë Deralla.
Fjalë përshëndetëse nuk i lejuan të merrte mbesës së Mehmet Pashë Derallës, Valdete Derrallës, të cilën e larguan me dhunë nga vendi ku gjendej busti i stërgjyshit të saj. Ajo në dorë mbante një tufë me lule dhe fotografinë e tij. Arsyet e largimit ende janë të panjohura por jo-zyrtarisht flitet se kjo e fundit ka qenë vetëm e interesuar për pasurinë e paraardhësit të saj./Portalb