Palestina, shtet vëzhgues në OKB

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi me shumicën prej dy të tretave përmirësimin e statusit të Palestinës nga entiteti vëzhgues në shtetin jo-anëtar vëzhgues.
Për rezolutën që përmirëson statusin palestinez, nga 193 shtete anëtare, 138 votuan pro, nëntë kundër, ndërsa 41 abstenuan.

Presidenti palestinez Mahmud Abbas tha të enjten mbrëma në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së se “sot kërkohet certifikata e Palestinës”.

Sipas tij, votimi i sotëm është shansi i fundit për të shpëtuar zgjidhjen për dy shtete.

“Nuk kemi ardhur për të kërkuar delegjitimimin e shtetit që është krijuar vite më parë, e që është Izraeli; kemi ardhur të afirmojmë legjitimitetin e shtetit që tash duhet ta arrijë pavarësinë, e kjo është Palestina”, ka thënë ai.

Ambasadori izraelit në OKB, Ron Prosor, ka thënë se mënyra e vetme për të arritur paqe mes Izraelit e Palestinës është marrëveshja mes dy vendeve, e jo përmes OKB-së. Ai shtoi se “palestinezët ia kanë kthyer shpinën paqes “, ndërsa akuzoi Abbasin se po injoron historinë.

“OKB nuk mund të ndalojë lidhjen 4000 vjeçare mes popullit izraelit dhe shtetit izraelit”, ka thënë ai.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu e dënoi ashpër sonte fjalimin e Abbasitm, duke e cilësuar si “armiqësor dhe helmues me plot gënjeshtra propaganduese”./Telegrafi/Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button