Mehmet Pashë Deralla, ministri tetovar që është harruar nga Shteti amë!

Mehmet Pashë Deralla u lind në vitin 1843 në fshatin Gradec të nahijes së Tetovës. Mehmeti ishte i vetmi djalë i Hasanit që mbante mbiemrin Ruzhdi Deralla që me fjalë të tjera do të thotë Derë e Rallë. Hasan Deralla ka marrë pjesë në lidhjen e Prizrenit 1878 së bashku me Sheh Mustafë Tetovën.

Mehmeti pasi mbaroi shkollimin e mesëm u diplomua në dy Akademi të shtatmadhorisë ushtarake të Stambollit dhe në moshën 35 vjeçare u gradua gjeneral ndërsa porta e lartë e emëroi Komandat Xhandarmërie në Bagdad dhe Siri. Më vonë shërbeu në Selanik afër vendlindjes ku u njohu gjendjen reale të trojeve Shqiptare. Vite më pas komandonte në vilajetin e Kosovës, të Manastirit, pastaj të Shkupit dhe mbylli karrierën ushtarake në vitin 1912 në Prizren. 

Në vitin 1908-1912 shtëpia e Derallave në Tetovë u shndërrua në një çerdhe të shqiptarizmit në veçanti pas kuvendit të Ferizajt . Pas këtij kuvendi Tetova kaloi në anën e Xhonturqve të rinj, ndërsa falë këtij revolucioni  Mehmeti pas një muaj e fitoi amnistinë dhe u kthye nga internimi. Prandaj nuk pati mundësi të merr pjesë në kuvendin e Ferizajt.

Me fillimin e trazirave në Kosovë 1908-1912 Mehmet Deralla dhe i biri Halimi ishin gjithmonë prezent në Lëvizjen kombëtare shqiptare në vilajetin e Kosovës dhe më gjërë, duke dhënë ndihmesë edhe me ushtri. Të dy  së bashku, babë e birë do të prisnin e do të përcjellnin në shtëpinë e madhe në Tetovë personat si Hasan Prishtinën, Sali Gjukën, Bedri Pejanin, Bajram Currin, Isa Boletinin, Mid’hat Frashërin, Hamdi bej Ohrin.  

Mehmet Deralla dhe Halimi do të marrin pjesë në kuvendin e Gjilanit në vitin 1910 siç dihet do të përkrahin Kryengritjen e Kaçanikut dhe udhëheqësin e saj Idriz Seferin. Të dy udhëtuan së bashku në Serbi ku u takuan edhe me Nikol Pashliqin për të kërkuar ndihmë ushtarake për kryengritje që po përgatitej Kosova dhe trevat tjera lindore në pranverë të vitit 1912.  Deralla dhe i biri kanë qenë prezentë në kuvendin e Junikut të mbajtur më 21-25 maj 1912.

Mehmeti ishte në qendër të vëmendjes në veçanti të mbretërisë austro hungareze, në lidhje me veprimtarinë e mëtutjeshme që e çonin në favor të autonomisë shqiptare. Në atë kohë diplomacia austro hungareze ishte këmbëngulëse që të ruhet status kuo-ja në Ballkan. Në këto rrethana kur rryma më nacionaliste kërkonte marshin drejt Shkupit dhe Selanikut, Mehmet Deralla e urdhëroi djalin e tij Halimin dhe Abduhrahman Beun, një familjar i tyre, që të nisen drejt Shkupit me vullnetarë nga Tetova. Kjo pjesëmarrje historike aktive e mbi 4000 mijë vullnetarëve shqiptarë në drejtim të Shkupit, verifikohet edhe sipas të dhënave të histografisë serbe e cila do të shënojë se në drejtim të Shkupit nga fusha e Pollogut u nisën po aq persona. 

Në zanafillën e shtetit të ri shqiptar, me shpalljen e Pavarësisë Kombëtare më 28 nëntor 1912, Kuvendi i mbledhur në Vlorë e në të cilin merrnin pjesë të gjitha viset shqiptare, ministër i Mbrojtjes i qeverisë së kryesuar nga Ismail Qemali, qe Mehmet Pashë Dërralla, i propozuar në këtë post të lartë nga Isa Boletini. Gjatë kohës dhe në shumë dokumente arkivore të kohës, Derralla quhej dhe Kalkanderi, emër i Tetovës ku ai kishte lindur.

Me fillimin e luftës së Parë Ballkanike forcat serbe pasi pushtuan Kaçanikun hynë në Tetovë. Mehmet Deralla ishte i vetmuar në mbrojtje të qyteteve shqiptare pasi u pushtua Shkupi më 26 nëntor edhe pas dy ditëve edhe Tetova, ndërsa më 30 dhjetor edhe Gostivari. Pas hyrjes serbe në Shkup dhe ai u dorëzua,  komanda e tyre urdhëroi që ushtria e saj të sulmojë në drejtim të Elbasanit dhe Manastirit dhe një pjesë tjetër e ushtrisë së sa në drejtim të Tetovës dhe Gostivarit.

Mehmet Pashë Deralla  tentoi të organizojë rezistencë kundër ushtrisë serbe , por nuk pati sukses në qëllimin e tij patriotik.   

Edhe pse ishte ministër i parë i shtetit të pavarur shqiptarë edhe ka pasur një rol të rëndësishëm, në diplomacinë e Ismail Qemalit, ai sot është harruar nga shteti amë, dhe nuk i jepet asnjë rëndësi nga shteti shqiptar, ai në fotografitë e vjetra është edhe në momentin e ngritjes së Flamurit në Vlorë, ndërsa është anashkaluar në filmin “Nëntori i dytë” i realizuan nga ish sistemi komunist./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button