Deputetët shqiptarë përshëndetën lirimin e Haradinaj dhe bashkëluftëtarëve

Sot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, deputetët shqiptarë Talat Xhaferi dhe Izet Zeqiri kanë përshëndetur lirimin e Ramush Haradinaj, i cili sot u shpall i pafajshëm nga të gjitha akuzat nga Gjykata Ndërkombëtare e krimeve të luftës në Ish-Jugosllavi.
 
Deputeti i radhëve të BDI-së Talat Xhaferi vlerësoi se ky vendim nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës vërteton se shqiptarët të gjitha përpjekjet dhe luftërat që kanë bërë, nuk kanë ra ndesh me normat e së drejtës ndërkombëtare.

“Vendi i gjyqit ndërkombëtarë të Hagës për shqiptarët ka qenë i pritshëm dhe i dëshirueshëm, gjë që edhe një herë vërteton se edhe përskaj procedurës së përsëritur për verifikim të pafajësisë së Ramushit dhe dy bashkëluftëtarëve të tij vërteton edhe një herë faktin se shqiptarët në 20 vitet e fundit, të gjitha përpjekjet që kanë bërë dhe luftërat që kanë bërë, kanë bërë luftë të drejtë për lirinë e tyre, për pavarësinë e Kosovës gjë që edhe me vendimin e fundit të tribunalit të Hagës vërtetohet.
Edhe një herë kjo flet për faktin se shqiptarët në ato përpjekje nuk kanë ra ndesh me normat e së drejtës ndërkombëtare, pra nuk kanë thyer rregullat e luftës dhe luftërat që kanë bërë, kanë bë luftë të drejtë, luftë të qëlluar dhe luftë fitimprurëse. Me këtë rast shfrytëzoj mundësinë që Ramushit dhe dy bashkëluftëtarëve t’u uroj kthimin në Kosovë, suksese dhe të vazhdojnë me punët e tyre aty ku kanë ngelë paraprakisht”, tha Xhaferi.

Po ashtu, edhe deputeti i RDK-së Izet Zeqiri në fjalimin e tij potencoi se lirimi i Haradinajt do të ndikon në përmirësimin e kapacitetit qeverisës në Kosovë. 

“Ky lajm është i mirëpritur nga të gjithë pasi që Ramush Haradinaj në një farë mënyre ishte viktimë edhe e kalkulimeve politiko-diplomatike lidhur me zhvillimet në Kosovë edhe më gjerë. Lirimi i Haradinajt me shokë vërteton luftën e drejtë të UÇK-së, tregon mirëfillje se normat juridike dhe procedurat e ndjekjes vështirë do të ishin të zbatueshme në rastin e pjesëtarëve të UÇK-së, të cilët kanë mare pjesë në luftë të drejtë çlirimtare. Lirimi i Haradinajt do të forconte spektrin e politikë bërjes në Kosovë dhe do të kontribuonte që Kosova të forcojë kapacitetin qeverisës në tërë territorin e saj”, tha Zeqiri./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button