BDI, PDSH, RDK të gjithë në Shqipëri!

Shqiptarët anembanë botës festojnë sot ditën e pavarësisë, plot 100 vjet pas shpalljes së saj në Vlorë. Si qytetarët, ashtu edhe personat publik në vende të ndryshme do të festojnë 28 nëntorin.

Pas manifestimeve në Shkup dhe Prishtinë, manifestimet qendrore mbarëkombëtare për nder të festës më të madhe kombëtare do të bëhen në Tiranë dhe Vlorë. Në qytetin bregdetar simbolikisht do të ngritet flamuri kombëtar, ashtu siç e bëri Ismail Qemali 100 vite më parë, pas çka festa do të vazhdon në Tiranë.

Gati se e gjithë elita politike shqiptare nga Maqedonia do të marrin pjesë në manifestimet në Vlorë dhe Tiranë. Të udhëhequr nga kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, në Shqipëri gjenden edhe zëvendës kryeministrat Musa Xhaferi dhe Teuta Arifi, kryetari i Komunës së Çairit dhe nënkryetar i BDI-së Izet Mexhiti, koordinatori i grupit parlamentar Talat Xhaferi si dhe zyrtarë tjerë nga kjo parti.

Edhe kreu opozitar shqiptar do të feston në Shqipëri. Kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi dhe ai i RDK-së Rufi Osmani ndodhen në Shqipëri ku pas përfundimit të manifestimeve do të zhvillojnë edhe takime të ndara me zyrtarë nga Tirana.

Përveç nga Maqedonia, edhe kreu politik kosovar po merr pjesë në ceremoninë qëndrore për shënimin e pavarësisë njëshekullore në Shqipëri. Në Vlorë dhe Tiranë do të festojnë presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga,  kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, kryeparlamentari i Kosovës Jakup Krasniqi si dhe ministra dhe personalitete të larta të shtetit.

Edhe përkundër ftesës, në manifestimet e 100 vjetorit nuk do të marrin pjesë zyrtarët maqedonas. Presidenti i shtetit Gjorgje Ivanov ka refuzuar ftesën e presidentit shqiptar Bujar Nishani si rezultat i incidenteve që kanë përcjellë vizitën e kryeministrit Gruevski në Tiranë disa ditë më parë. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button