Struga shënon 100 vjetorin e shtetit shqiptar

Me një akademi solemne ku ishin të pranishëm familjarët dhe pasardhësit e nënshkruesve të aktit të pavarësisë, autoritetet vendore, si dhe qindra qytetarë si dhe të ftuar të tjerë mbrëmë në hotel ‘’Drin’’ në Strugë, u shënua 100 vjetori i shtetësisë shqiptare.

Manifestimin e hapi Xhemi Hajredini koordinator për festimet e 100 vjetorit, i ngarkuar nga pushteti vendor i cili potencoi se Struga denjësisht  feston këtë përvjetor edhe për faktin që ka deleguar gjashtë atdhetar në Kuvendin e Vlorës, tre prej të cilëve arritën të jenë edhe firmëtarët e pavarësisë.

Emocion të veçantë këtij aktiviteti i dhanë pasardhësit e firmëtarëve struganë të vitit 1912 si Remzi Pernaska nipi i Nuri Sojliut, Fatmir Struga djali i Myrteza Ali Strugës  si dhe pasardhësit e tjerë të Zuhdi Ohrit, që kishin ardhur enkas nga Shqipëria për të marrë pjesë në festimet e 100 vjetorit në Strugën e paraardhësve.

Me një fjalë në këtë manifestim u prezentua edhe kryetari i Komunës ,Ramiz Merko i cili potencoi se Struga gjithmon ka përçuar një identitet të fortë shqiptar duke filluar që nga roli në shpalljen e pavarësisë apo me luftën e Petrinjës si dhe me zhvillime të tjera që kanë lënë gjurmë në kujtesën e struganëve.

Në cilësin e një ish të burgosuri politik dhe të një politikani aktiv  në Maqedoni, foli Tair Hani i cili theksoi se  shqiptarët gjithmonë në këto 100 vjet kanë kanë pasur një ëndërr e cila një ditë edhe do të realizohet.

Ndërkohë, në mbyllje të këtij aktiviteti foli dhe aktori dhe regjisori i njohur Xhevat Limani, i cili me një fjalor të ashpër sulmoi ata shqiptar që nuk punojnë për kombin e tyre dhe janë bërë pjesë e agjendave të të tjerëve. Ai bëri thirrje që shqiptarët të punojnë për bashkimin kombëtar sepse rrugë tjetër sipas tij nuk kanë. Për anën artistike të kësaj akademie solemne ishin kujdesur nxënësit e shkollës së mesme të muzikës të udhëhequr nga Altin Ziba. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button