Shqipëria kremton 100 vjetorin e shtetformësisë

28 Nëntori i vitit 1912 simbolizon ditën e fillimit të krijimit të identitetit të shtetit tonë shqiptar. Pikërisht në këtë ditë Ismail Qemali, së bashku me një grup atëdhetarësh të mbledhur nga të gjitha trojet shqiptare, citoi fjalinë më të bukur dhe më shpresëdhënëse:”Shqiperia sot bahet me vehte e lire e e mosvarme”.

Mjaftoi kjo fjali që zemrat e shqipëtarëve të ndizeshin nga deshira për të qenë të lirë dhe për të krijuar një shtet sovran. Por shumë shpejt ky gëzim u shua. Pas disa muajsh, në Maj 1913, u mblodh Konferenca e Londres e cila ngushtoi territoret e Shqipërisë.

Ndërsa në ditët e sotit festa ka filluar tashmë në çdo qytet shqiptar, ndërsa flamujt kombëtar kanë mbuluar rrugët, sheshet dhe ballkonet. Tirana dhe Vlora janë dy qendrat kryesore të kremtimit të festës. Sipas agjendës së qeverisë shqiptare, epiqendra e e festimeve është Vlora, ku manifestimet pritet të zgjatin më shumë se 27 orë.

Edhe gjatë ditës së sotme në Tiranë janë zhvilluar aktivitete të ndryshme me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë. Vazhdon të jetë i hapur panairi “Bli Shqip” tek rruga ‘Murat Toptani’, ndërsa aktivitetet do vijojnë deri në orën 20:00.

Ndërkohë, mijëra shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia po udhëtojnë drejt Tiranës dhe Vlorës për të marrë pjesë në festimet e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë me automjetet e tyre të mbuluara me flamujt kombëtarë por dhe në shumë raste edhe në mënyrë të organizuar. Rreth 400 mijë vizitorë pritet të mbërrijnë në Vlorë në 24 orët e ardhshme për të qenë pjesë e festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë.

Të gjitha hotelet e qytetit janë prenotuar kohë më parë. Ndërsa u njoftua nga bashkia e Vlorës se pronarët e tyre do të ulnin me 50% çmimin e akomodimit. Dogana e pikës kufitare në Morinë ka marrë pamje festive dhe është dekoruar me simbolet kombëtare, ndërsa policia kufitare ka marrë masa shtesë të mbajtjes nën kontroll të situatës, është shtuar numri i personelit për të shmangur radhët e gjata. Ndërsa rruga e Kombit po monitorohet gjatë 24-orëve nga patrulla të lëvizshme të policisë rrugore dhe nga postblloqe të ngritura në disa segmente problematike.

Në orën 13 do të zhvillohet ceremonia e vendosjes së kurorave me lule në Monumentin ‘Nënë Shqipëri’ nga krerët e shtetit, kryebashkiaku Basha, presidentja e Kosovës dhe trupi diplomatik. Gjatë ditës do të ketë aktivitete të larmishme për të gjithë grupmoshat në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, dhe në parkun ‘Rinia’.

Rreth orës 14.30 do të bëhet dhe ceremonia e prerjes së tortës së pavarësisë në Teatrin e Operës dhe Baletit. Në orën 17 forcat e armatosura do të parakalojnë në një paradë në sheshin Skënderbej. Një orë më vonë do të përurohet ‘Monumenti i Pavarësisë’ më parkun Rinia dhe më pas do të nisë koncerti jubilar ‘Rrugëtimi i Kombit’ në Pallatin e Kongreseve. Festimet do të mbyllen zyrtarisht me një pritje të Presidentit Nishani. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button