Rusia e përsërit mbështetjen e fortë për Maduron

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov përsëriti të premten mbështetjen e fortë të vendit të tij për presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, transmeton Anadolu Agency (AA).

Lavrov u takua me zyrtarë të nivelit të lartë, duke përfshirë Maduron dhe zv/presidentin Delcy Rodriguez, në një vizitë në Venezuelë për herë të parë që nga viti 2011.

“Ne ritheksojmë mbështetjen tonë për presidentin legjitim të Venezuelës, Nicolas Maduro. Ne gjithashtu mirëpresim iniciativën e presidentit për të hapur tryezat e dialogut për të gjithë sektorët e vendit”, tha Lavrov.

Lavrov gjithashtu takoi përfaqësuesit e “Dialogut Kombëtar” dhe i cilësoi si “të papranueshme dhe të paligjshme” sanksionet e SHBA-së kundër kombit të Amerikës Latine, njoftoi stacioni televiziv Telesur.

“Fatkeqësisht, kriza që Venezuela po kalon vjen nga një fushatë e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për të rrëzuar qeverinë legjitime të kryesuar nga presidenti Nicolas Maduro”, tha Lavrov gjatë takimit, pasi përshëndeti iniciativat e normalizimit të Tryezës së Rrumbullakët të Dialogut Kombëtar.

“Dialogu Kombëtar i Venezuelës është i hapur për të gjitha partitë politike. Është e qartë se kundërshtarët radikalë janë alergjikë ndaj këtyre ngjarjeve”, tha Lavrov, ndërsa theksoi se kufizimet e SHBA-së kanë për qëllim fillimin e një “kryengritjeje popullore” në Venezuelë.

Lavrov tha se të dy aleatët ranë dakord për të forcuar bashkëpunimin në një gamë të gjerë frontesh, pavarësisht “bllokadave të paligjshme” të vazhdueshme.

“Marrëveshjet që ne arritëm kanë të bëjnë me arsimin, industrinë, logjistikën ushtarake dhe ekonominë”, shtoi Lavrov.

Gjatë kritikave të hapura ndaj Juan Guaido-s, i cili e ka shpallur veten president të Venezuelës, Lavrov tha se “ne jemi të bindur se ambiciet e politikanëve nuk duhet të mbizotërojnë mbi interesat e popullit”.

Një ditë më parë, Maduro iu drejtua presidentit të SHBA-së Donald Trump në një video pasi ai priti Guaidon në Shtëpinë e Bardhë, duke e quajtur atë si udhëheqësin e Venezuelës.

Maduro i kërkoi Trumpit të ndalonte “obsesionin e tij të sëmurë” me Venezuelën.

“Donald Trump, ju nuk mund ta mposhtni Venezuelën. Venezuela nuk është thyer dhe as nuk shkelet nga askush”, tha Maduro në një video të transmetuar nga Telesur.

Rusia dhe Venezuela gjithashtu ranë dakord të mblidhen në maj për një komision ndërqeveritar për tregti dhe ekonomi, sipas një deklarate të Lavrovit.

“Të gjitha aspektet e bashkëpunimit tonë material dhe praktik do të rishikohen në seancën e komisionit të nivelit të lartë”, thuhet në deklaratë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button