Bexheti nga Tirana: Shqiponja, kryesimbol i shqiptarëve

Në kuadër të festës së Pavarësisë, të hënën, në Tiranë është bërë përurimi i Monumentit të Shqiponjës, i cili synon të shndërrohet në një ikonë për qytetin. Në ceremoninë e përurimit të simbolit kombëtar kanë marrë pjesë kryeministri Sali Berisha, kryebashkiaku, Lulzim Basha, kryetarët e komunave të Prishtinës, Ulqinit dhe Preshevës, si dhe biznesmeni tetovar, Lazim Destani. 

Gjatë kësaj ceremonie, kryetari i Komunës së Tetovës, Sadi Bexheti në fjalën e rastit ka shprehur kënaqësinë e thellë të gjithë qytetarëve të Tetovës, që në festën e madhe të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë po inaugurohet Monumentin e Shqiponjës, si një simbol bashkimi dhe bashkëpunimi dhe si një simbol i identitetit kulturor, politik dhe historik të shqiptarëve.

“Shqiponja mbetet një kryesimbol për të gjitha hapësirat shqiptare në rrjedhën e historisë dhe ky monument padyshim afirmon përpjekjen gjithë shqiptare për të kultivuar frymën e bashkëpunimit në të gjitha fushat, për të komunikuar vlerat tona më të mira kombëtare konform pretendimit tonë të përbashkët për të qenë pjesë e vlerave evropiane”, tha kryetari Bexheti.

Monumenti i Shqiponjës, tha ai, me forcën e vet simbolike, na vendos përpara horizontit të bashkëpunimit të hapësirave shqiptare, në nivelin lokal dhe në të gjitha nivelet tjera institucionale. “Ne besojmë thellësisht, që në të ardhmen, bashkëpunimet e deritashme do të fuqizohen akoma më tepër, sepse në këtë mënyrë promovojmë dhe forcojmë përcaktimin tonë për të komunikuar ngjeshur në kuadër të pretendimit të përhershëm evropian”, tha ai.

Kryetari Bexheti ka përgëzuar kryetarin e bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha dhe kryetarin e bordit të kompanisë “Ecolog”, Lazim Destani, për realizimin e përbashkët të këtij projekti kaq domethënës në festën e madhe të pavarësisë. 

Monumenti i Shqiponjës, ndodhet në kryqëzimin e Doganës dhe peshon plot prej 16 ton çelik. Me vendim të Këshillit Bashkiak të kryeqytetit ky rreth rrotullim do të quhet “Sheshi Shqiponja’ dhe së shpejti synon të kthehet në një pikë referimi për qytetin. Me anë të një pajisje të veçantë do të sigurohet ndriçimi me ngjyrë të kuqe për të krijuar ngjyrën e sfondit të flamurit kombëtar./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button