Zhvillimi i Kodrës së Diellit në kushtet e ngrohjes globale

Ngrohja globale që njihet edhe si ΄Efekti i serrës΄ solli ndryshime klimaterike dhe një kërcënim fillimisht i largët por që doli të jetë një kërcënim që po ndodh me një shpejtësi marramedëse e të paparë për mjedisin dhe njerëzimin në tërësi.

Duke e kllaposur, duke e mbyllur për aq sa është e mundur, nxehtësinë pranë sipërfaqes së tokës, ΄Efekti serrë΄ po ngroh planetin dhe po kërcënon mjedisin, gjithandej.

Frika aktuale lidhet me vetë këtë fakt. Modelet kompjuterike për hulumtime po parashikojnë se deri në fund të shekullit XXI temperaturat do të rriten e do të shtohen për disa gradë (tre gradë). Ndërkohë shkencëtarët po përpiqen të zbulojnë se sa shpejtë po rriten temperaturat, dhe çfarë do të ndodhë si rezultat i kësaj rritjeje. Pas shumë përpjekjeve të strukturave politike, në nivele botërore, për të ndërmarrë masa për reduktimin e gazit të serrave në Kyoto në vitin 1997  u arrit të nënshkruhet “Protokolli” si objektiv detyrues. Më pastaj, përfaqësues të 195 (njëqind e nëtëdhjetë e pesë) shtetesh në Paris në vitin 2015 ranë dakord e u pajtuan për një marrëveshje të re mbi klimën globale, me objektiva detyruese, që do të zëvendësojë “Protokollin” e Kyoto-s.

Shikuar nga aspekti i fushës së turizmit ngrohja globale do të sjellë probleme serioze për shumicën e destinacioneve turistike, të natyrave të ndryshme. Më së shumti do të pësojnë rajonet që tradicionalisht ofrojnë shërbime turistike dimërore. Ndryshimet klimatike i rrezikojnë qendrat dhe rajonet e skijimit veçanërisht ato që janë në lartësi mbidetare nën 1.500 m.  Ngrohja globale pra më së tepërmi do ta godasë turizmin dimëror veçanërisht qendrat e njohura sportive që gjenden në Evropë dhe më gjerë.

Sipas një studimi dhe njoftimi më të ri të Akademisë së Shkencave të Zvicrës deri në vitin 2050, klima e përgjithshme në Alpe do të ritet për 2°C. Sipas këtij studimi, priten verëra jashtzakonisht të thata dhe dimra të ftohtë. Të reshurat e borës do të zëvendësohen me ato të shiut.

Janë bërë shumë hulumtime për këtë problematikë dhe autorë të kësaj fushe supozojnë se nga 230 qendrat sportive dimërore në Zvicër, do të ngelin vetëm 144 shumica prej tyre 94 sosh vetëm në kantonet Wallis dhe Graubünden. Në dimër bora do të qëndrojë, por nëpër vise më të larta kjo do të thotë se qendrat ekzistuese dimërore nuk do të mund të jenë më rentabile.

Duke pasur parasysh dëmet që mund t’i shkaktojë ngrohja globale veprimtarisë turistike, që në vitin 2008, Organizata Botërore për Turizëm mbajti konferencë të veçantë në temën: “Ndryshimet klimatike dhe turizmi”.

Sot shumica e qendrave sportive dimërore gjithandej, ballafaqohen me problemet që i solli ngrohja globale, ndërkaq të njëjtat kanë angazhuar ekspertë të fushave të ndryshme për kërkime shkencore. Këta ekspertë janë munduar të përpilojnë strategji zhvillimore konform kushteve të krijuara.

Turizmi dimëror siç dihet bazohet kryesisht në sportet dimërore prej nga del se edhe turizmi dimëror varet kryekëput nga bora dhe cilësitë e saja e veçmas nga qëndrueshmëria e saj. Krahas kësaj varësinë nga bora sportet dimërore kanë një raport 3:1 të disfavorshëm përballë atyre verore (Sportet dimërore paraqesin pakicë në paletën e sporteve të përgjithshme, shën. ynë). Prandaj, qendrat e turizmit dimëror dhe të gjitha subjektet që ushtrojnë këto veprimtari (ndërmarrjet hoteliere, ndërmarrjet e teleferikëve, ndërmarrjet e mirëmbajtjes së shtigjeve, ndërmarrjet që ofrojnë shërbime tjera të lidhura me sportet dimërore, etj.), për të qenë në hap me kohën, dhe për të përballuar konkurrencën nga format tjera të turizmit kërkojnë mundësi, mënyra, rrugë e shtigje të reja veprimi.

Në këtë kontekst shumica e politikëbërjeve dhe të politikbërësve të këtyre rajoneve me të drejtë investimet në ndërtimin e pistave dhe infrastrukturës turistike dimërore, në viset me lartësi të mesme dhe të ulët mbidetare, i llogarisin investime të gabuara, shikuar nga aspekti ekonomik dhe ekologjik.

Ka zëra që thonë se, me ndryshimet klimatike qendrat dimërore do të duhet të orientohen kah zhvillimi i turizmit veror alpin, kështu që verat e ngrohta mund të shfrytëzohen për destinacione të reja veçanërisht nëpër liqene malore, duke i bërë këto më tërheqëse dhe më të pranueshme për turistët e vizitorët. Ndërkaq nga këto ndryshime do të përfitojnë vendet me lartësi mbidetare më të mëdha.

Studimet e bëra në Zvicër dhe Austri tregojnë se ekoturizmi apo turizmi natyral mund jetë një alternativë e turizmit dimëror. Në të njëjtën vijë është qëndrimi i Organizatës Botërore Turistike pranë KB-ës (UNWTO), ku theksohet e shquhet rëndësia e të ashtuquajturit “turizëm i qëndrueshëm”.

Kërkime shkencore që kanë të bëjnë me problemet e turizmit dimëror si rrjedhojë e ngrohjes globale janë bërë dhe bëhen në vendet që disponojnë me qendra turistike dimërore, mes tjerash këtu do të përmendim: Abegg, Buerki, Harrer, Mc. Boyle, Scott dhe shumë të tjera. Autorët në raportet e tyre më të reja në temën: “Turizmi dhe planifikimi hapësinor në kohën e streseve klimatike“, thonë se bora do të qëndrojë vetëm në lartësi të mëdha mbidetare. Kjo tregon qartë trendin e lëvizjes së gjërave të ndikuar nga ndryshimet klimatike.

Për të analizuar ndikimet e ngrohjes globale në ski-turizmin duhet të nisemi nga sintagma se “pa borë nuk ka sport dimëror, pa sport dimëror nuk ka turizëm dimëror”. Pra, fillimisht duhet të nisemi nga kushtet themelore të nevojshme për ski-turizmin e kjo paraqet qëndrueshmërinë e borës.

Si borë e sigurt llogaritet bora e rregullit 100 ditësh gjatë sezonit. Vetëm në kushte të borës së sigurt një qendër skijimi mund të jetë profitabile (këtu duhet të bëhen ca parashënime, sic !). Si qendër skijimi është llogaritur ajo e cila plotëson rregullin 100 ditësh të mbulesës së borës. Nga gjithsej 666 skijimi me borë natyrale llogariten vetëm 609 (91%).  Turizmi dimëror varet kryesisht nga sportet dimërore, andaj si rrjedhojë del se edhe turizmi dimëror varet kryekëput nga bora dhe qëndrueshmëria e saj. Krahas kësaj varësinë nga bora sportet dimërore kanë një raport 3:1 të disfavorshëm përballë atyre verore (Sportet dimërore paraqesin pakicë në paletën e sporteve të përgjithshme, shën.ynë).

Së këndejmi, tendencat e industrisë turistike, veçanërisht të këtyre rajoneve që pretendojnë të kenë atraktivitet të qëndrueshëm, duhet t’iu përshtaten kushteve të reja, duke ndryshuar ofertën konform rrethanave të reja të krijuara si rrjedhojë e ngrohjes globale përmasash mbarëbotërore. Shih për këtë, janë në rritje zërat se sportet dimërore nuk janë dhe aq të leverdishme për veprimtarinë turistike. Mundësitë e shfrytëzimit të kohës së lirë me forma të reja, si pasojë e ndryshimit të stilit jetësor krijojnë atraktivitete të reja të ofertës së përgjithshme në industrinë turistike. Këto ndryshime paraqiten si konkurrencë sportive dimërore.

Për të përballuar situatat e pavolitshme si pasojë e ngrohjes globale ekspertët e fushës së ski-turizmit propozojnë strategji përmes ofertave alternative të zhvillimit të turizmit dimëror. Këtu parashihen masa në drejtim të përforcimit të turizmit katër stinor, ngritjen e turizmit veror dhe orientim kah aktivitetet të cilat nuk kërkojnë me çdo kushtë vetëm borë, ΄borë qielli΄.

Ndryshimet klimatike nuk do ta anashkolojnë RVM-së, dhe derisa në vendet që kanë të zhvilluar turizmin dimëror siç janë vendet alpine, me të madhe punohet në drejtim të përshtatjes së situatës së krijuar apo gjetjes së formave përkatëse, të përshtatshme në zhvillimin e turizmit konform kushteve të krijuara atmosferike, te ne, në Maqedoni, respektivisht organizmat përkatëse dhe strukturat politike dhe ekonomike për zhvillimin e turizmit dimëror, e në veçanti subjektet që menaxhojnë me qendrat e njohura siç është “Kodra e Diellit”, “Mavrova”, etj., të cilat janë më të goditurat nga këto ndryshime, nuk merren me këtë problem e këtë problematikë ! Për këtë temë as që flitet e lëre më të hulumtohen e të analizohen strategjitë vepruese në të ardhmen. Edhe në studimin e fundit të fizibilitetit të prezantuar në nëntorin e kaluar që e përgatiti shtëpia e njohur konsulente PricewaterhouseCoopers nuk u tha asnjë fjalë për këtë problematikë.

Nga ndryshimet e ndodhura klimatike në Maqedoni më së tepërmi vërehet pakësimi dhe ulja e sasisë së të reshurave në shumicën e rajoneve. Kjo ulje dhe ky pakësim është i theksuar në rajonet malore të Sharrit (“Mavrovë” dhe “Kodra e Diellit”) rreth 100 mm në vit. Në “Kodrën e Diellit” do të ketë borë të qëndrueshme, por nëpër vise më të larta se vendet ku është e ngritur infrastruktura. Andaj, na e thotë mendja se në këto rrethana të ngrohjes globale qendra “Kodra e Diellit nuk do të jetë rentabël dhe se humbjet e krijuara do të duhet të zëvendësohen për t΄u kompensuar me aktivitete tjera turistike.  Shih për këtë, investimet që bëhen në “Kodrën e Diellit”, në drejtim të zhvillimit të turizmit dimëror mund të dalin të gabuara. Këto investime duhen të rientohen kah zhvillimet e turizmit alternativ duke krijuar kushte për sporte verore dhe duke minimizuar kësisoj varësinë nga bora.

Njëra nga strategjitë më të volitshme të zhvillimit të qendrës “Kodra e Diellit” në kushtet e krijuara klimatiterike, mendojmë të jetë zhvillimi i turizmit katër stinor. Ofertat alternative të turizmit dimëror mund të jenë në drejtim të plotësimit të dalëgadalshëm, të shkallshkallshëm dhe jo të zëvendësimit të plotë të saj me aktivitete të reja. Një mundësi përplotësuese e komplementare e ofertës turistike të “Kodrës së Diellit” është shfrytëzimi i verave të ngrohta me destinacione të reja të turizmit nëpër liqenet malore. Në malin Sharr gjenden mbi 30 liqene të bukura malore, që duhet valorizuar si resurse e pasuri turistike.

Strategji tjetër e mundshme është përforcimi i turizmit katër stinor, avancimin e turizmit veror gjegjësisht orientim kah aktivitetet, të cilat nuk kërkojnë borë, me çdo kusht. Me këtë rast do të përmendim disa nga sportet e reja verore: Grasski, (ski sur herbe, fr.), skijim apo rrëshqitje në rrëpina me kullosa, me këpucë me rrotëza, e të ngjashme; Bullracer, ngasja e motoçikletave të posaçme nëpër shpate malore; Mountainbike,  ngasja e biçikletave të përshtatshme për terrene malore, paraglajderizmin dhe të tjera. Poashtu, edhe forma të tjera argëtuese siç janë: Alpine Coaster, hekurudha  (binarë e shina) të veçanta për rrëshqitje nëpër terrene të larta malore; bullracer, trenat argëtues të shpejtë malorë të ashtuquajtur rodelbahn; kinderlande, etj.

Si alternativë tjetër e turizmit dimëror në “Kodrën e Diellit” është vënia nën mbrojtje e hapësirës së malit Sharr dhe shpallja e parkut nacional. Edhe ΄Parku Nacional΄ krijon mundësi të mira të komercializimit dhe zhvillimit të turizmit malor.

Gjatë përpilimit të një strategjie zhvillimore subjektet vendimmarrëse duhet të kenë parasysh konkurrencën ekzistuese të turizmit-sportiv dimëror në Ballkan që është në rritje të sipër.

Me këtë rast do të përmendnim shembullin e Bullgarisë, ku krahas qendrave të njohura: Pamporovo, Borovec,… konkurrencë në “Kodrën e Diellit” paraqesin dhe qendrat ekzistuese në Serbi: Kopaoniku dhe Zlatibori, ku janë bërë investime të mëdha në drejtim të përmirësimit të kushteve për qëndrim në këto qendra.

Projektet e mëdha të kësaj fushe e bëjnë që Bullgaria me të drejtë të quhet “Alpet e Ballkanit”, ndërkaq që këtë zhvillim e mundësojnë fondet e BE-së, që ofrojnë mjete finansiare për qendrat dimërore me turizëm të qëndrueshëm.

Faktorët me relevantë që menaxhojnë qendrën “Kodra e Diellit”, gjatë proceseve të vendimmarrjes duhet të mbështeten në rezultatet e arritura tashmë nëpër qendrat e ngjashme evropiane. Zbatimi i modeleve, tani më të suksesshme, dukshëm do të lehtësojnë zgjidhjen e disa nga problemet që ka sjellë ngrohja globale.

Masat që duhet t΄i ndërmerrin organet, organizmat, organizatat dhe subjektet ekonomike, të cilat ΄çajnë kokën΄ me problemin e zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm në këtë qendër turistike duhet të jenë komplekse dhe shumëdimensionale, mirë të studiura, mbase gjithsesi.

Për masat konkrete për realizimin e këtyre strategjive të paraqitura më lartë do të shkruajmë herave të tjera.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button