VW Golf 7, 100 kg më i lehtë se gjenerata paraprake (VIDEO)

Në kohën kur në Evropë shumica e prodhuesve të automobilave i frikohet secilës ditë në vijim, VW ka modelin i cili nuk ka nevojë të frikohet për të ardhmen e tij. VW Golf i gjeneratës së shtatë, zyrtarisht është prezantuar në Berlin, 36 vite pas prezantimit të gjeneratës së parë, e cila kishte filluar një seri shumë të suksesshme, çka e konfirmon edhe shitjen e përgjithshme prej 29 milionë copëve.

Në rastin e Golf-it të ri nuk priten oscilacione të mëdha sa i përket dizajnit të jashtëm, çka edhe njëherë është konfirmuar. Por duhet potencuar se gjenerata e shtatë në thelb është model i ri, për dallim nga parapraku, i cili ishte version i freskuar i gjeneratës së pestë. Golf-i i ri është bazuar në platformën modulare MQB për veturat me motor në pjesën e përparme.

Platforma e tillë mundëson nivel të lartë të standardizimit për brendet e ndryshme të grupit VW. Edhe përkundër asaj se ofron hapësirë më të madhe për pasagjerë dhe më shumë mundësi teknike të avancuara se sa kurrë më parë, Golf i ri është për 100 kilogramë më i lehtë se gjenerata paraprake falë teknologjisë së re të prodhimit.

Zvogëlimi i peshës mundëson edhe 23 për qind më shumë efikasitet në krahasim me modelin paraprak, ndërsa siguria është ngritur në nivelin më të lartë, jo vetëm falë strukturës më të fortë të veturës, por edhe sistemeve të shumta të sigurisë pasive dhe aktive.

Çelësi i suksesit të Golf-it është në vazhdimësi dhe janë shumë pak vetura dizajni i të cilave është përsosur dhe është përmirësuar me dekada dhe kështu është bërë bashkëkohorë. Konzola qendrore tani është drejtuar kah vozitësi, duke mundësuar qasje më të lehtë përmes ekranit të ndjeshëm në prekje. Në brendi ka më shumë hapësirë se sa kurrë më parë.

Hapësira për këmbë në ulëset para është më e madhe për 15 mm, ndërsa ulëset para janë lëvizur prapa për 20 mm. Edhe bagazhi është rritur për 30 litra. Sistemi pajisjeve është ndarë në tre nivele, Trendline, Comfortline dhe Highline. Niveli fillestar i pajisjeve përmban ekranin bardh e zi, i ci,ki tregon vetëm të dhënat më bazike, siç është rregullimi i klimës, datës, kohës. Për herë të parë në veturat VW ofrohet edhe hapësira për celular me antenë, që gjendet nën mbështetësin qendror për duar.

Golf i ri ka edhe shumë sisteme inovative të sigurisë qysh në pajisjet bazë. Në pajisjet shtesë ofrohen edhe sistemet e rezervuara për veturat e segmenteve më të larta. Ky sistem në mënyrë automatike i ndal rrotat pas përplasjes fillestare, duke zvogëluar sasinë e energjisë së veturës dhe ndjeshëm e zvogëlon rrezikun e përplasjes shtesë.

Në përputhje me kohën

Gjeneratën e re të Golf-it e lëviz një paletë e re e motorëve me benzinë dhe me naftë. Të gjithë motorët vijnë me sistemin e integruar start-stop dhe sistemin për mbushjen e akumulatorit përmes rigjenerimit të energjisë së frenimit.

Në fillim të ofertës së motorëve me benzinë, do të jenë versionet 1.2 litërsh TSI me 85 kuaj fuqi i cili harxhon 4.9 litra për 100 kilometra të kaluara si dhe versioni 1.4 litërsh TSI me 140 kuaj fuqi me de-aktivizim të 2 cilindrave, i cili harxhon 4.8 l/100 km. Motorët dizel janë ai 1.6 litërsh me 105 kuaj fuqi i cili harxhon 3.8 litra në 100km si dhe ai 2.0 litërsh me 150 kuaj fuqi i cili harxhon 4.1 litra në 100 kilometra të kaluara.

Në versionin Bluemotion, harxhimi i motorit me naftë është mesatarisht 3.2 l/100 km. Sa i përket shpejtësisë, ajo maksimale është e kufizuar në 250 km/h, derisa përshpejtimin nga 0 në 100 km/h, e arrin për 8 sekonda. Çmimi fillestar në Gjermani është 16.975 €./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button