Parlamenti hap plagët e 2001-shit

Njëmbëdhjetë vite pas konfliktit dhe pas nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, me të cilën parashikohet rehabilitimi, resocializimi dhe reintegrimi i ish luftëtarëve në shoqëri, deputetët akoma debatojnë për barabarësinë e tyre si qytetarë të Republikës së Maqedonisë.

Debati në Kuvend lidhur me ligjin për Branitellat hyri në ditën e pestë të diskutimit ndërsa gjithnjë e më shumë përmendet konflikti i vitit 2001.

“Propozim Ligji në fjalë për të drejtat e veçanta për pjesëtarët e forcave të sigurisë dhe familjet e tyre është në formë selektuese dhe jo-gjithëpërfshirëse për shkak se në konfliktin e vitit 2001 përveç forcave të sigurisë të Maqedonisë morën pjesë edhe anëtarët e ish UÇK-së. Ky debat i stërzgjatur të çon në një hendek ku së fundmi nuk mund të gjejmë rrugëdalje për situatën e krijuar” – tha Dëshira Imeri, deputete e BDI-së.

“Palë të involvuara në konfliktin e 2001 ishin forcat e sigurisë  dhe ushtarët e UÇK-së, ky është qëllimi jonë që këto individë këto njerëz të cilët dhanë më të shtrenjtën e tyre për të mirën e këtij shteti ti gëzojnë të drejtat e barabarta, të mos ketë diskriminime, të mos ketë sanksionime, të mos ketë përjashtime”, tha Vjollca Nuredini-Memeti nga BDI.

Nga ana tjetër, deputeti i RDK-së opozitare Izet Zeqiri konstatoi se ky debat nuk çon askund dhe për shterjen e diskutimit të amendamenteve nevojiten disa dekada, kështu që porositi deputetët e VMRO-së të jenë racional dhe të tërheqin ligjin.
“Për 5 ditë janë shqyrtuar vetëm 7 amendamente, që do ët thotë se kanë ngelur edhe 15 e 570 amendamente, që nënkupton se në bazë të kësaj dinamike këtij parlamenti, gjegjësisht këtij komisioni do ti duhet për shqyrtimin 519 muaj që të mund të shqyrtohen të gjitha amendamentet, mendoj se kjo është joserioze për propozuesin” – tha Zeqiri.

Diskutimi vazhdoi edhe sot me dinamikën e njëjtë të votimit, gjegjësisht të mbivotimit të amendamenteve. Tani më është e qartë se me këtë dinamikë nuk do të arrihet miratimi i këtij ligji, së paku jo në të ardhmen e afërt. Mbetet e paqartë se pse VMRO – DPMNE vazhdon të mbajë në procedurë këtë Propozim Ligj./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button