Digjitalizimi: S’ka më televizion me antenë dhome

Sinjal më cilësor, rritje të numrit të programeve televizive nga 49 në 400, më shumë frekuenca dhe servise shtesë, duhet të mundësojë procesi i digjitalizimit në Maqedoni, kështu u theksua në debatin e sotëm i cili i tuboi në një tryezë të gjithë të involvuarit në këtë proces.

Sipas planeve, këto përfitime duhet të jenë të arritshme prej 1 qershorit të vitit të ardhshëm për të gjithë qytetarët e Maqedonisë që do ta ndjekin programin televiziv përmes sinjalit digjital.

Kompania ONE është zgjedhur si operator, ndërsa Këshilli për radiodifuzion (KRD) së shpejti duhet të miratojë një plan, për qëllimin dhe shpërndarjen e radiofrekuencave të multipleksit terestrial digjital, ndërsa Agjencia për komunikime elektronike (AKE) do të jetë rregullator, gjegjësisht do ta vërtetojë arsyetimin e çmimit që do ta ofrojë ONE. Operatori tashmë ka paguar 300.000 euro për lejen për operim, ndërsa me miliona euro garanton se do ta vendos rrjetin dhe pajisjen për digjitalizim.

Sipas ministrit për Shoqëri Informatike dhe Administratë Ivo Ivanovski, ONE ka detyrim që sinjalin e televizionit ta emetojë ose në format standard ose me definicion të lartë të formatit, ndërsa me këtë qytetarët do të kenë cilësi të njëjtë të sinjalit si ato në Bashkimin Evropian.
Siç deklaroi kryetari i KRD-së Zoran Trajçevski, tashmë është përpiluar projekt-plani për qëllime dhe shpërndarje të radiofrekuencave të multipleksit terestrial digjital, që KRD-ja duhet ta miratojë së shpejti si dokument strategjik për zbatimin e digjitalizimit.

Ai po ashtu theksoi se KRD-ja është hapur për të ndihmuar mediumet në kalimin nga emetimi analog në atë digjital.

Afati përfundimtar për shkyçjen e emetimit analog në përmbajtjen televizive në Evropë është viti 2015. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button