20 vite pas, Maqedonia ende e ‘dashuruar’ në Serbinë

Kanë kaluar më shumë se 20 vite nga pavarësimi i Maqedonisë, por ky shtet ende nuk ka ndryshuar politikën ndaj Serbisë, sidomos qeveria aktuale është shumë e dhënë pas serbizimit. Mënyra e tillë e sjelljes është shumë e dëmshme për marrëdhëniet ndëretnike në vend por vendos në disfavor edhe vendet e tjera fqinje. 

Nacionalizmi, ri-shkrimi i historisë madje dhe propozim ligji i ri për  forcat e sigurisë maqedonase, të gjitha këto janë vegla për dy partnerët e koalicionit VMRO dhe BDI të rrisin rejtingun e vet në kurriz të qytetarëve dhe të largojnë vëmendjen nga kriza ekonomike e cila dita ditës përpin vendin. Janë këto disa nga konkluzionet që u arritën në debatin e mbajtur sot, nga lëvizja Pyka ndërsa folës ishin ish kryeministri maqedonas Lubço Georgievski dhe analisti dhe ish ambasadori në OSBE, Arsim Zekolli.

“Viktimë më e madhe e politikës pro-serbe të Maqedonisë gjithmonë kanë qenë shqiptarët. Kjo politikë i ka rrënjët para vitit 1991, na kujtohen protestat e vitit 1981 në Prishtinë kur polica maqedonase ishte kryesore në rrahjen e protestuesve. Mendoj se maqedonasit duhet të ju kërkojnë falje kosovarëve për këtë”, tha Georgievski. 

Sipas tij, Ligji për Branitella është një lojë shumë e rrezikshme për Maqedoninë. Ai u bën apel VMRO-së dhe BDI-së ose ta tërheqin ligjin ose ta miratojnë atë në paket me ish ushtarët e UÇK-së.

“Dikush si duket ka harruar se çka ndodhi në vitin 2001. Ndoshta ligji paraqet taktikë të koordinuar të partnerëve qeveritarë për të fituar pikë politike, mirëpo kjo është lojë e rrezikshme e cila sërish mund ta çojë Maqedoninë në drejtim të padëshiruar. Habitem nga fakti se si BDI është inkorporuar në këtë lojë” tha ish kryeministri Georgievski.

Nga ana tjetër, analisti Zekolli tha se “Serbia për Maqedoninë është një djall që kjo e fundit nuk mund ti largohet”.

Zekollin nuk e habit iniciativa e Bullgarisë apo Greqisë për të bllokuar Maqedoninë në anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Iniciativa e vendeve anëtare të BE-së nuk më habit,ne sillemi me to sikur janë vende Ballkanike duke mos pasur parasysh se ato janë vende që kanë fuqi, interes dhe influencë në BE. Në fakt mund të thuhet se armiku më i madh i këtij shteti është qeveria, gjegjësisht koalicioni aktual qeveritar”, tha Zekolli. 

Ish kryeministri Georgievski dhe ish ambasadori Zekolli vlerësuan se në Maqedoni edhe më tutje ekzistojnë forca të cilave nuk ju konvenon anëtarësimi i vendit në NATO dhe BE dhe shkak për këtë janë malverzimet e mëdha financiare që po bën struktura aktuale në pushtet.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button