Dëbohet edukatorja greke, vari flamurin shqiptar në klasë

Një edukatore greke është dëbuar dhe transferuar, nga kopshti ku ajo punonte, pas denoncimit që kanë bërë disa prindër, të mbështetur edhe nga partia Agimi i Artë, se ka vendosur në 28 tetor, ditën e festës kombëtare të Greqisë, në tabelën e lajmërimeve, përveç flamurit grek edhe flamurin shqiptar. 

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Nudhri të Lefkadës, një prej ishujve të detit Jon, dhe për edukatoren është hapur një proçes i brendshëm hetimi, me presionin e degës vendore të partisë së ekstremit të djathtë Agimi i Artë.

Sipas dëshmisë së edukatores, në ditën e festës ajo u ka kërkuar fëmijëve grekë të vizatojnë flamurin kombëtar, por pasi në klasën e saj nga 20 fëmijë, 8 ishin shqiptarë, u ka thënë edhe atyre të vizatonin flamurin e të parëve të tyre, e më pas ka varur vizatimet në tabelë.

Siç duket edhe në fotografinë nga kjo festë, poshtë flamureve greke, janë të vendosura vizatimet e flamurit shqiptar dhe atij italian. Është e trishtueshme që një edukatore filo-shqiptare, të vendosë këta flamurë në klasë, ditën që festohet fillimi i luftës kundër Italisë dhe Shqiperisë” – thekson deklarata e deputetit të zonës së Agimit të Artë, ndërsa këshilli i mësuesve të arsimit të ulët, ka marrë në mbrojtje veprimin e edukatores në fjalë, duke dënuar politikën përçarëse të kësaj organizate.

Nga ana e saj edukatorja ka deklaruar se ka bërë saktësisht detyrën, duke u folur fëmijëve për ngjarjet e vitit ’40, luftën dhe sakrificat e popujve kundër fashizmit.

Deputetë të Agimit të Artë kanë kërkuar javët e fundit një listë të plotë të fëmijëve në shkollat dhe kopshtet greke, në mënyrë që të dëbojnë të gjithë fëmijët e huaj, por Ministria e Arsimit ka kundërshtuar në mënyrë të prerë.

Edhe dy ditë më parë në parlament, një prej përfaqësuesve të kësaj force politike ka kërkuar, që në shkollat greke të zbatohet moto “Atdheu-Feja-Familja”. Ngjarja ka ngjallur reagime në shumicën e mediave vendase./Top-channel/Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button