Punëtorët e Evropës ngrihen në këmbë, të Maqedonisë flejnë!

40 grupe punëtorësh të 23 vendeve të ndryshme të Evropës, sot në ditën evropiane të aksionit dhe solidarizimit, protesojnë kundër papunësisë dhe masave shtrënguese.

Derisa e gjithë Evropa ngrihet në këmbë, në Maqedoni punëtorët ende janë në gjumë, ata ose nuk janë të vetëdijshëm për të drejtat që posedojnë, ose nuk guxojnë të ngrisin zërin.

Visar Ademi, ekonomist, thotë se në Maqedoni, mungon kultura e të protestuarit për të drejta ekonomike, ne jemi dëshmitarë të protestimit shpesh herë për çështje të politike. 

Ne gjithashtu jemi dëshmitar të politizimit të Sindikatave, thekson ai.

‘Në Maqedoni gjithçka është e politizuar, të politizuar ke sindikatën e cila ndoshta paralajmëron protesta, pastaj ke të nesërmen të themi një organizatë tjetër e cila është pro qeverisë dhe i diskrediton anëtarët e bordit protestues duke u nxjerrë diçka që nuk ka të bëjë fare me protestën. Mendoj që Sindikatat nuk i mbrojnë të drejtat e pjestarëve të këtyre organizatave ose institcuioneve publike, ata janë thjeshtë të nominuara politikisht në koalicion dhe më tepër se të mbrojnë të drejtat e punëtorëve kanë agjendë politike qoftë promovimin e tyre në shoqëri, apo ndonjë lloj pozicioni që mund të kapin politikisht’ tha Ademi.

Ruzhdi Ibrahimi, nënkryetar i Konfederatës së Sindikatave të lira në Maqedoni, thotë se shumë punëtorë të Maqedonisë, as që janë të informuar për një ditë si kjo.

“Në Maqedoni nuk është sikurse në shtetet e Evropës, që e shënojnë këtë ditë pak me kujdes. Në krahasim me Maqedoninë shumica e punëtorëve nuk e dinë që ekziston kjo ditë, janë vetëm disa organizata që mundohen për punëtorët të ngrisin disa punë në nivel pak më të lartë” shprehet Ibrahimi.

Greva të fuqishme pritet të mbahen në Spanjë, Greqi, Portugali dhe Itali, me të tjera protesta të parashikuara në Belgjikë, Gjermani, Francë, Britaninë e Madhe dhe disa vende të Europës Lindore.

Protesta e sotme pritet të shkaktojë probleme në transport dhe shërbime në të gjithë kontinentin, ndërsa është organizuar nga Konfederata Europiane e Tregëtisë./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button