PDSH dhe BDI konfrontohen për “Branitellat”

Diskutimi për amendamentet për ligjin për branitellat në Komisionin për punë dhe politikë sociale sot u koncentrua në debat politik mes partive shqiptare BDI dhe PDSH.

Derisa po diskutohej për amendamentin e dytë, të propozuar nga RDK që ka të bëjë me ndryshimin e emrit të ligji, deputeti i PDSH-së Ziadin Sela tha se problemi qëndron te vendimmarrja dhe te mbivotimi që u bëhet shqiptarëve.

“Ajo që mua faktikisht më pengon është fakti që nuk e thoni atë që duhet. Nuk ka gjë të keqe që në zgjedhjet parlamentare të 2011 keni thënë që nuk është në rregull Marrëveshja e re politike e PDSH. Ky është sinjali më i mirë edhe për ju edhe për opinionin se në Maqedoni duhet të ndryshohet vendimmarrja. Deri në ditën kur nuk do e sjellim punën që edhe projektet e vendeve maqedonase të varen nga votat e deputetëve shqiptarë këtu nuk mund të ketë zhvillim, nuk mund të ketë marrëdhënie të relaksuara ndëretnike e tjera, e tjera, sepse faktin tjetër që projektet e shqiptarëve po varen nga votat maqedonase e kemi, prandaj nuk po bëhen asnjëherë. Prandaj është shumë me rëndësi që nga gjithë kjo katrahurë dhe nga gjithë ky teatër që po bëhet këtu të nxjerrim një konstatim që duhet ta thoni zëshëm ashtu siç e thoni ju, sepse nuk është I vetmi ligj, do mbivotohesh te buxheti, do mbivotohesh dhe je mbivotuar te të gjitha ligjet” – tha Sela.

Këtij fjalimi të Selës iu përgjigj deputeti i BDI-së Arben Llabënishti, i cili marrëveshjen e re të PDSH-së për të cilën po fliste Sela e quajti jo sinqeritet dhe teatër.

“Për çdo ditë edhe më shumë po bindem në jo sinqeritetin dhe teatrin që po përpiqet të bëjë Ziadin Sela në Parlament. Ai përsëri sot mundohet të flas për një marrëveshje të re politike, përgjigjen më të mirë për këtë marrëveshje të re politike e kemi marrë nga vetë kryetari i PDSH-së me publikimin e dokumenteve nëpërmjet Wikileaks është parë shumë qartë që kryetari i PDSH-së është shprehur para ndërkombëtarëve që këtë e ka thjeshtë vetëm një lojë për të ndikuar elektoratin, nuk e ka seriozisht. Kjo është përgjigjja më e mirë të cilën mund ti japim kësaj marrëveshje të re politike për të cilin përpiqeni të flisni sot ju.

Fatkeqësisht me këtë logjikë po vazhdojnë qoftë deputetët qoftë drejtuesit aktiv të PDSH-së përsëri të flasin për të vetmen gjë, për të ndikuar emocionalisht elektoratin” – tha Llabënishti.
Në fund edhe ky amendament u hodh poshtë nga Komisioni për Punë dhe Politikë Sociale, duke mbivotuar deputetët shqiptar me votat e deputetëve të VMRO-së dhe LSDM-së.

Lajme të ngjashme

Back to top button