Qeveria komunave ua “nxjerr për hunde” paratë për naftë

Qeveria e Republikës së Maqedonisë në fillim të nëntorit ka obliguar Drejtorinë për rezerva të detyrueshme të naftës dhe të lëndëve djegëse, që të ndajë naftë për ngrohje në shkollat e Republikës së Maqedonisë, për sezonin e ngrohjes 2012-2013. Mirëpo, problemi qëndron në atë se edhe pse nafta duhet të ndahet pa pagesë, ashtu siç kishin deklaruar zyrtarët e Qeverisë ditën e sjelljes së vendimit, megjithatë komunat potencojnë se janë të obliguar që nga buxheti i tyre të paguajnë transport, akciza dhe TVSH.

“Me këtë vendim komunave u ndahen gjithsej 1.655.000 litra naftë-ekstra e lehtë pa kompensim” – kishte  deklaruar Muhamet Hoxha, zëdhënës i Qeverisë.
Megjithatë,  furnizimi me naftë obligon komunat me rreth 30% shpenzime nga çmimi i naftës në treg, duke paguar për transport, TVSH dhe akciza.

“Ky është një problem mjaft aktual. Mjetet që ndahen për komunën e Tetovës nga bllok-dotacionet për furnizim me naftë të shkollave fillore, të mesme, çerdhet dhe objektet nën administrimin e komunës nuk janë të mjaftueshme. Nga qeveria sivjet janë ndarë 100 tonelata naftë, mirëpo krahas kësaj nga komuna kërkohet të paguhet transporti, akcizat si dhe TVSH-ja.

Me këtë nënkuptohet se komuna e Tetovës përfiton më pak naftë nga ajo që është e planifikuar edhe përkundër faktit që kjo sasi nuk i përmbush nevojat për furnizim me naftë. Ky nuk është një qëndrim i drejtë për komunën e Tetovës dhe me këtë komuna përsëri ballafaqohet me problemet e furnizimit me naftë, sepse bllok-dotacionet nuk rritën ndërsa shpenzimet rriten për çdo vit” – thotë Faton Murseli, zëdhënës i Komunës së Tetovës.

“Komuna e Gostivarit ka marrë 500 tonelata naftë për të cilat është e detyruar të paguajë rreth 6 milionë denarë për akciza dhe TVSH” sqaron Agim Mustafai nga Komuna e Gostivarit. Ai thekson se  kjo sasi e naftës do të mjaftojë për ngrohjen e shkollave të mesme, fillore dhe kopshtet e fëmijëve për një sezonë. 

Nga Drejtoria për rezerva të detyrueshme të naftës thonë se komunat duhet të paguajnë TVSH dhe akciza sepse janë shfrytëzues i fundit i naftës, duke shtuar se për një gjë të tillë nuk janë përgjegjëse ata, por është Qeveria.

“Ne jemi të obliguar të realizojmë vendimin e Qeverisë, kurse akcizat dhe TVSH-në duhet ta paguajnë ata sepse ato janë shfrytëzuesi i fundit. Ne si drejtori e japim naftën ashtu si e marrim vetë ne. Ne e marrim pa akciza dhe TVSH, por në moment që del nafta nga rezervoaret atë duhet të paguajë shfrytëzuesi. Nëse nuk është e mjaftueshme atë që e kanë marrë, mund të kërkojnë edhe aq sasi nga Qeveria, kështu do të plotësojnë boshllëkun” – thotë drejtori i Drejtorisë për rezerva të detyrueshme të naftës Ulusi Beqiri.

Në ndarjen e rezervave të naftës figurojnë 71 komuna, të furnizuara me 1.655.000 litra naftë./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button