Kërçova, pa votues, BDI-së i duhen 31 avionë për fitore

Instituti Liberta ka bërë një analizë për zgjedhjet lokale në Kërçovë duke vendosur në theks daljen e votuesve shqiptar në zgjedhje si dhe rolin e partisë së Ali Ahmetit, Bashkimi Demokratik për Integrim.

Në vijim është analiza e plotë:


Përkundër klimës së krijuar për ndryshimin e balancit etnik të popullatës që pritet të ndodhë me bashkimin e Komunës së Kërçovës me atë të Vraneshticës, Drugovës, Zajazit dhe Osllomesë, llogaritja e rezultateve të zgjedhjeve lokale të vitit 2009 tregon pak gjasa që kjo të reflektohet mbi rezultatet zgjedhore. Anash faktit që dalja në votim ka qenë tejet e ulët tek shqiptarët (33.9%), BDI si parti më e madhe ka fituar vetëm 60% të votave në pesë komunat e kombinuara, me faktin që në Komunën Kërçovë nuk ka garuar me kandidat partiak. Çdo herë duke u bazuar në rezultatet zgjedhore të vitit 2009, rezulton që baraspesha etnike në Komunën e re të Kërçovës do të jetë 6.235 vota në favor të votuesve etnik maqedonas, që për balancim do të kërkojë dalje më të madhe shqiptare në votim ose mobilizim të diasporës për ta votuar kandidatin e mundshëm shqiptar me konsensus.  

Do të ‘fitohet’ nga shqiptarët, ose jo?

Me Nenin 16 të Ligjit për organizim territorial të vetëqeverisjes lokale të Republikës së Maqedonisë të vitit 2004, parashihet që Komuna e Kërçovës t’i bashkëngjitet katër komunave fqinje deri në zgjedhjet lokale të vitit 2008, gjegjësisht të bashkohet me Komunën Vraneshticë, Drugovë, Zajaz dhe Osllomej. Në ndërkohë, afati ligjor u prolongua përmes marrëveshjeve politike me planifikimin përfundimtar që bashkimi i komunave të kryhet para zgjedhjeve lokale të vitit 2013. 

Vendimi final me të cilin përmbyllen dyshimet u shqiptua nga Gjykata kushtetuese, e cila më 13.06.2012 e hodhi poshtë nismën e ngritur nga Kongresi botëror maqedonas i Todor Petrovit, që e kërkonte vlerësimin e Nenit 16 të Ligjit nga aspekti i ligjshmërisë dhe pajtimit me Kushtetutën. 

Me afrimin e zgjedhjeve lokale, çështja e bashkimit të komunave është përcjellur me vëmendje nga mediat dhe partitë politike, duke e ngritur pritjen që Komuna e Kërçovës, tani e zgjeruar me katër komunat tjera, do të fitohet nga kanditati shqiptar. Si edhe në rastin e Strugës, edhe tani fitorja eventuale shihet në prizmin etnik, se do të ‘humbet’ nga maqedonasit ose do të ‘fitohet’ nga shqiptarët, që eksploatohet nga dy grupet etnike dhe partitë politike – në pushtet dhe ato opozitare. Përfundimisht, kjo temë ishte në fokusin e vizitës partiake të udhëheqësisë së Bashkimit Demokratik për Integrim në Zvicër, Austri, Gjermani dhe Itali, ku delegacioni i udhëhequr nga Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti realizoi disa takime me përfaqësuesit e diasporës. 

Logjika Etnike vs Matematike 

Pavarësisht klimës së krijuar për balancin etnik të votuesve në Kërçovë dhe katër komunat fqinje, analiza e zgjedhjeve lokale 2009 tregon një tendencë tjetër. Duke u bazuar mbi rezultatet e kombinuara të zgjedhjeve lokale të pesë komunave të cekura në vitin 2009, ato trajtohen prej prizmit etnik për ta vlerësuar kapacitetin e trupit votues maqedonas dhe shqiptar. Konkretisht, këtu shihet si do të dukej komuna e re e Kërçovës, po të ishin zgjedhjet lokale 2013 të njëjta me ato të vitit 2009. Kjo bëhet duke i kombinuar rezultatet e Kërçovës dhe 4 komunave, për t’i parë rezultatet sipas grupeve etnike – sa kanë fituar shqiptarët dhe sa maqedonasit, si projeksion i supozuar për zgjedhjet e ardhshme. 

Qëllimi i analizës është vlerësimi i kapacitetit të trupit votues sipas të dhënave të Komisionit shtetëror zgjedhor, nën supozimin që votuesit maqedonas kanë votuar për kandidatët maqedonas dhe votuesit shqiptarë kanë votuar për shqiptarët. Analiza nuk e trajton cilësinë e zgjedhjeve, pengesat objektive ose azhurnimin e listave zgjedhore. Ajo bazohet mbi numrin e raportuar të votuesve që kanë dalur në zgjedhje dhe parapëlqimin e shprehur. Ndonëse pritet ndryshimi i balansit etnik në komunën e re të Kërçovës, kjo nuk e nënkupton edhe ndryshimin proporcional të numrit të votuesve, që është arsyeja pse analiza bazohet mbi të dhënat e votuesve sipas votimit lokal 2009 dhe jo të banorëve të regjistruar. Përfundimisht, llogaritja në mënyrë të natyrshme nuk mund ta parasheh ndryshimin e numrit të votuesve mes dy cikleve zgjedhore, për arsyen që listat zgjedhore ende nuk janë finalizuar për ditën e votimit.  

RETROSPEKTIVA – ZGJEDHJET LOKALE 2009  
Pasqyra e zgjedhjeve lokale 2009 në Kërçovë dhe Drugovë, Osllomej, Vraneshticë dhe Zajaz 

Kërçova: 
Gjithsej votues të regjistruar: 26.670
Dalja në votim: 14.974 ose 56.1%
Rezultati sipas partive: VMRO-DPMNE 8.056, LSDM 2.399, LDP 1.411, PDSH 626, DR 1.172 
Rezultati i supozuar etnik: Maqedonasit 11.866 vota dhe Shqiptarët 1.798 vota

Drugova: 
Gjithsej votues të regjistruar: 2.623
Dalja në votim: 1.871 ose 71.3%
Rezultati sipas partive: VMRO-DPMNE 942, LSDM 185, Podem 367, Pavarur 226 
Rezultati i supozuar etnik: Maqedonasit 1.720 vota 

Osllomeja: 
Gjithsej votues të regjistruar: 8.517
Dalja në votim: 3.371 ose 39.5%
Rezultati sipas partive: PDSH 87, BDI 2.081, Pavarur 668, Pavarur 484 
Rezultati i supozuar etnik: Shqiptarët 3.320 vota

Zajazi: 
Gjithsej votues të regjistruar: 9.689
Dalja në votim: 3.293 ose 33.9%
Rezultati sipas partive: PDSH 94, BDI 2.759, Pavarur 338 
Rezultati i supozuar etnik: Shqiptarët 3.191 vota

Vraneshtica: 
Gjithsej votues të regjistruar:  1.544
Dalja në votim: 993 ose 64.3%
Rezultati sipas partive: VMRO-DPMNE 412, LSDM 546
Rezultati i supozuar etnik: Maqedonasit 958 vota 

Gjithsej votues të regjistruar: 49.043
Gjithsej votues kanë dalur: 24.502 (49.9%)
Gjithsej vota të supozuara maqedonase: 14.544 (59.3% e votuesve që kanë dalur)
Gjithsej vota të supozuara shqiptare: 8.309 (33.9% e votuesve që kanë dalur)
Diferenca mes votave të supozuara maqedonase dhe shqiptare: 6.235 (duke mos llogaritur mbetjen prej 6% që nuk janë shpërndarë për asnjë grup etnik, meqë konsiderohen si të pavlefshme)

PËRFUNDIMET

Sipas numrit të votuesve, daljes në votime dhe rezultateve të zgjedhjeve lokale 2009, analiza i nxjerr këto tre përfundime: 

Në zgjedhjet lokale të vitit 2009 në komunat e cekura (Kërçova e kombinuar me Vraneshticën, Drugovën, Zajazin dhe Osllomenë) kanë dalur në votime gjithsej 24.502 votues, prej të cilëve 14.544 maqedonas dhe 8.309 shqiptarë. Duke e kombinuar numrin e votuesve që kanë dalur në votime, dalja në komunat me shumicë shqiptare është dukshëm më e vogël. Zajasi dhe Osllomeja janë nën 40%, ndërkohë që komunat me shumicë dominante maqedonase kanë 64% dhe 71%. 

Prej të gjitha votave shqiptare, të kombinuara në këto 5 komuna, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka fituar 60% prej elektoratit shqiptar, që e vështirëson fitoren absolute. Madje edhe në Zajas, 27% e votuesve kanë votuar për partitë tjera shqiptare dhe jo BDI-në, ndërkohë që dalja në komunat ku ka garuar është tejet e ulët në raport me komunat tjera. 

Me kusht që të kombinohen të gjitha votat shqiptare të zgjedhjeve lokale të vitit 2009, dallimi mes grupeve etnike është 6.235 më pak për shqiptarët. Baraspesha mund të arrihet përmes sigurimit të daljes më të madhe të votuesve dhe angazhimit që të gjithë ta votojnë kandidatin e vetëm shqiptar, nëse arrihet një marrëveshje e këtillë. Opcioni i dytë është që balancimi të arrihet përmes angazhimit të diasporës, që në terme praktike nënkupton se nevojiten 6.235 votues për balancimin etnik të votave (përkthyer në mjete transporti – 31 avionë ose 125 autobusë të mbushur me votues me të drejtë vote në ditën e votimit dhe përkushtim politik). 
Përkundër klimës së krijuar për ndryshimin e balancit etnik të popullatës, përfundimet e lartëshënuara tregojnë që ka pak gjasa që kjo të reflektohet në rezultatet zgjedhore lokale. Pa dallim fushatës politike në diasporë dhe mbulimit mediatik, sipas rezultatit të zgjedhjeve lokale 2009 është objektive të pritet besueshmëri e ulët për kalimin etnik të udhëheqësisë në Komunën e re të Kërçovës, ndërkohë që partia udhëheqëse BDI duhet të sigurojë së pari balanc partiak për fitoren e saj.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button