Shehapi: Kisha nuk është në shesh po në lokacion tjetër

Kisha e cila fillimisht ishte planifikuar të ndërtohet në sheshin e Shkupit në lokacion mes Qendrës tregtare dhe restorant “Pelister” tani do të ndërtohet vetëm disa metra më tej, gjegjësisht në rrugën Maqedonia afër shtëpisë përkujtimore të Nënë Terezës. Rruga Maqedonia është rruga kryesore e cila të shpie te sheshi Maqedonia.

Mirëpo deputeti i BDI-së, Behixhudin Shehapi, ish-drejtor i Qendrës Nacionale për Konservim në një prononcim për Portalb ka thënë se Kisha e cila po ndërtohet në rrugën Maqedonia nuk i takon sheshit të Shkupit, por është lokacion tjetër.

“Nuk janë të vërteta konstatimet se në sheshin e Shkupit ndërtohet Kisha. Nëse ju kujtohet, me prezantimin e Projektit “Shkupi 2014”, kisha ishte paraparë të ndërtohet pikërisht në sheshin e Shkupit, të cilën gjë ne si parti (BDI) dhe përfaqësuesit e sektorit civil, e kundërshtuam ashpër. Dhe kjo deri më sot nuk ndodhi” thotë Shehapi.

Sipas tij, duhet të jemi korrekt kur flasim për kishën “Shën Konstantini dhe Elena” duke theksuar se kjo kishë do të ndërtohet në një lokacion tjetër të Shkupit dhe atë mbi themelet e një kishe katolike, andaj ndërtimin e një kishe të re po në atë vend duhet ta kontestojnë besimtarët e Kishës katolike. 

“Ajo çka është me rëndësi të deklaroj, në emrin tim dhe të partisë që i takoj, BDI-së, është fakt i pamohueshëm se në sheshin e Shkupit nuk do të ketë kishë. Është një çështje tjetër, për të cilën BDI-ja disa subjekte të tjera po angazhohen në këtë moment, por do të angazhohen edhe në të ardhmen. Është fjala për Burmali Xhaminë në sheshin e Shkupit, në vendin e së cilës nuk do të lejojmë të ndërtohet ndonjë objekt tjetër publik” thotë deputeti i BDI-së, Behixhudin Shehapi, ish-drejtor i Qendrës Nacionale për Konservim.

Ndërkaq, sot ka reaguar edhe Këshilli Koordinativ i OJQ-ve për rindërtimin e Burmali Xhamisë në shesh të Shkupit, duke thënë se iniciativa ende është e gjallë./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button