Helmi i Hekuranës në mushkëritë e shkupjanëve deri në vitin 2019?! (VIDEO)

Fabrikat nga ish “Hekurana” e Shkupit vazhdojnë me helmimin e ajrit të këtij qyteti. Thithja e shtëllungave të tymit është bërë përditshmëri për banorët e Butelit, Hekuranës dhe lagjes Shkup – Veri, por pasojat i ndjen edhe pjesa më e madhe e qytetit. Ja si duket nga lartë ndotja, bërë nga kamera e Portalb.

Bisedimet e Ministrisë së Ambientit Jetësor me kompaninë “Makstil”, si ndotës kryesor në atë rajon kanë filluar që nga viti 2006. Këto bisedime rezultuan me afat nga kjo ministri, që deri në prill të vitit 2014 kompania të plotësojë standardet ekologjike, në të kundërtën fabrika do të mbyllej. Por, para pak kohësh në ministri ka arritur kërkesë nga kompania “Makstil” që ky afat të prolongohet deri në vitin 2019.

“Nga kompania ‘Makstil’ kanë kërkuar që të prolongohet afati për plotësimin e standardeve ekologjike deri në vitin 2019. Ministria e Ambientit Jetësor për diku dy javë do të shqyrton arsyetimin e kompanisë dhe nëse ka bazë për një kërkesë të tillë, do të propozon që Qeveria të sjell një vendim për vazhdim apo jo të këtij afati edhe për pesë vite. Nëse nuk ka ndonjë bazë, atëherë kjo kërkesë do të hidhet poshtë dhe do të mbetet afati paraprak, do të thotë prilli i vitit 2014” – tha për Portalb Sasho Sekullovski nga sektori për marrëdhënie me publikun në Ministrinë e Ambientit Jetësor.

Edhe pse ndotja duket qartë, akoma nuk është konfirmuar prania e kimikaleve të ndryshme të rrezikshme për të cilat dyshohet se lirohen nga fabrikat nga “Hekurana” e Shkupit. Maqedonia nuk ka një laborator të tillë. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button