BE thirrje për lënien e armëve dhe mundësimin e dialogut në Lindjen e Mesme

Presidentja e Komisionit të Bashkimit Evropian (BE), Ursula von der Leyen, theksoi se tensionet në Lindjen e Mesme ndikojnë në tërë botën dhe jo vetëm në rajon dhe bëri thirrje për lënien “urgjente” të armëve dhe zbatimin e dialogut, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë për media së bashku me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Marrëdhënie të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borell, pas një takimit të Komisionit mbi Lidnjen e Mesme, von der Leyen fillimisht shprehu ngushëllime për të afërmit e viktimave të avionit të Linjës Ajrore të Ukrainës i cili sot në mëngjes u rrëzua në Iran.

Von der Leyen njoftoi se gjatë takimit të Komisionit është biseduar mbi zhvillimet në Irak, Iran dhe Libi.

“Tensionet në rajon ndikojnë te të gjithë ne. Është e nevojshme që urgjentisht të ndalen armët dhe t’i lihet vend dialogut”, tha presidentja e Komsionit Evropian.

Ajo tha se kriza ndikon edhe në sfera si transporti, energjia, zhvillimi ekonomik dhe migrimi dhe shtoi se BE mund të kontribuojë në uljen e tensioneve në rajon.

Nga ana tjetër, Përfaqësuesi i Lartë Borell i cilësoi si “shumë shqetësuese” tensionet në Iran, Irak dhe në gjithë rajonin.

“Sulmi i fundit mbi bazat ajrore në Irak të përdorura nga SHBA dhe forcat e koalicionit, përfshirë evropianët, është shembulli i fundit i rritjes së tensioneve dhe konfliktit. Rritja e dhunës nuk është në dobi të askujt”, tha Borell.

Ndryshe, në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, Irani lëshoi dhjetëra raketa balistike në dy baza në Irak ku janë të vendosura forcat e ushtrisë amerikane dhe ato të koalicionit ndërkombëtar.

Sulmi iranian erdhi pasi të premten e kaluar, kreu i forcës elitare Kuds të Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC), Qasem Soleimani, mbeti i vrarë në një sulm amerikan me dron në Bagdad.

Vrasja e tij shënoi një përshkallëzim dramatik në tensionet midis SHBA-së dhe Iranit, që shpesh herë kanë qenë të nxehta që kur presidenti amerikan, Donald Trump, në vitin 2018 tërhoqi Washingtonin në mënyrë të njëanshme nga pakti bërthamor i vitit 2015 midis fuqive botërore dhe Teheranit.

Lideri Suprem i Iranit, Ali Khamenei, i cili vitin e kaluar i dha dekoratën e nderit më të lartë të vendit Soleimanit, ishte zotuar për “hakmarrje të rëndë” në përgjigje të vrasjes së tij.

– Shefi i qeverisë libiane të njohur ndërkombëtarisht ftohet në Bruksel

Në fjalën e tij para gazetarëve, Borell njoftoi se të premten në Bruskel do të organizohet një takim i jashtëzakonshëm i ministrave të jashtëm të BE-së, në të cilin do të diskutohen zhvillimet në Iran, Irak dhe Libi.

Borell bëri të ditur se në Bruksel ka ftuar edhe Fayez al-Sarraj-in, kreun e Këshillit Presidencial të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA) të Libisë të njohur ndërkombëtarisht.

Që nga rrëzimi i ish-liderit libian Muammar Gaddafi në vitin 2011, në Libi janë shfaqur dy qendra pushteti, një në Libinë lindore e mbështetur kryesisht nga Egjipti dhe EBA, me të cilën është i lidhur edhe gjenerali puçist Khalifa Haftar, i cili ka nisur një fushatë për kapjen e Tripolit, dhe GNA në kryeqytet, e cila gëzon njohjen ndërkombëtare dhe atë të OKB-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button