Thaçi: Kurti nuk është i gatshëm të nominojë kandidatin për kryeministër (VIDEO)

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur në takim kryetarin e partisë më të madhe të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, Vetëvendosje (VV), Albin Kurtin, për të filluar negociatat për caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas këtij takimi konsultativ, në një shkrim në rrjetet sociale, presidenti Thaçi tha se nevoja për formimin e qeverisë është jetike për shtetin dhe qytetarët, ndërsa theksoi se “Kurti sot nuk ishte i gatshëm të ofrojë propozimin e të nominuarit nga Lëvizja Vetëvendosje”.

Për një gjë të tillë, tha Thaçi, kreu të VV-së i jep kohë edhe 48 orë për të nominuar kandidatin për kryeministër.

“Si president i vendit do ta ushtroj autoritetin tim kushtetues dhe ligjor të ruajtjes dhe kultivimit të unitetit politik e qytetar dhe orientimit euroatlantik të shtetit të Kosovës. Prandaj, kam vendosur që t’i ofroj z. Kurti kohë shtesë edhe 48 orët e ardhshme për nominimin e kandidatit/kandidates për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës, para se të marr veprimet e radhës kushtetuese dhe ligjore”, shkroi presidenti Thaçi.

Albin Kurti dhe Hashim Thaçi foto: AA
Albin Kurti dhe Hashim Thaçi foto: AA

Në anën tjetër, Albin Kurti, në një deklaratë për media pas këtij takimi që zgjati rreth 15 minuta, tha se takimi konsultativ nuk ka sjellë ndonjë efekt juridik për fazën e ardhshme të formimit të institucioneve të vendit. Ai theksoi se në këtë takim disa minutash ai ka dëgjuar “presidentin e cili shprehu interesimin e tij për formimin sa më të shpejtë të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, por siç tha ai, njëkohësisht presidenti ka thënë që e di se për këtë gjë nevojitet një kohë e caktuar”.

“Gjithashtu kërkoi që ne ta bëjmë propozimin. Mirëpo në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe aktgjykimit është e nevojshme që ne ta bëjmë një kërkesë me shkrim, prandaj për këtë kërkesë të presidentit në këtë takim konsultativ unë do të raportoj në Kryesinë e VV-së dhe sa më parë që të mundemi do t’ja sjellim presidentit propozimin tonë për kryeministrin e ardhshëm që ai duhet ta mandatoj sipas obligimit kushtetues që ka në bazë të funksionit që ushtron”, tha Kurti.

Sa i përket marrëveshjes e cila nuk po arrihet nga dy partitë, VV dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare, Kurti tha se ende pret një takim ku do të përmbyllej marrëveshja me partinë e dytë.

Ai tha se pas zgjedhjes së kryeparlamentarit më 26 dhjetor, “më nuk ka arsye për vonesa”.

“Unë dua që sa më parë të takohemi bashkë me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe të fillojmë fazën e re të përmbylljes së këtyre bisedimeve në mënyrë që ta kurorëzojmë marrëveshjen me koalicion siç e ka dashur populli më 6 tetor, dhe unë besoj se kjo i nevojitet shtetndërtimit demokratik por edhe zhvillimit ekonomik”, tha Kurti i cili theksoi se sikur të varej nga ai, takim me LDK-në do të kishte edhe dje, por edhe sot.

Para takimit me Thaçin, Kurti i ka bërë thirrje LDK-së t’i bëjë publike emrat e pesë kandidatëve të saj për ministra për qeverinë e re, gjë të cilën Kurti e ka bërë, duke shfaqur emrat e pesë kandidatëve për ministra dhe zv/kryeministrit të dytë të qeverisë.

Në një video-mesazh të publikuar në rrjete sociale vetëm pak orë para takimit me presidentin Thaçi, Kurti njoftoi emrat e kandidatëve për ministra dhe atë të zv/kryeministrit.

Ndërkohë sot gjatë ditës, LDK ka mbajtur dy mbledhje, një të Kryesisë së Partisë dhe një me Grupin Parlamentar të saj, për t’u unifikuar dhe për t’u marrë vesh lidhur me qëndrimin e tyre të mëtutjeshëm për koalicionin e mundshëm me VV-në.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë u mbajtën më 6 tetor, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj i cili mori ftesë për në Hagë. Që pas zgjedhjeve, LDK dhe VV kanë filluar bisedimet në nivel krerësh, por edhe kanë krijuar grupe punuese për të konkretizuar qeverisjen e përbashkët, por nuk arritën një marrëveshje finale për koalicion qeverisës.

Më 26 dhjetor të vitit të kaluar, LDK ia dha votat e deputetëve të saj kandidatit të VV-së për kryeparlamentar, Glauk Konjufca, i cili arriti të zgjidhej kryetar i Kuvendit, gjë e cila nuk përkonte me marrëveshjet e mëhershme të këtyre dy partive të cilët këtë pozitë e kishin rezervuar për LDK-në.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button