Berisha: Të ruajmë idealin e bashkimit kombëtar

Kryeministri shqiptar Sali Berisha deklaroi sot se në këtë 100 vjetor të pavarësisë të nderohen të rënët për çështjen kombëtare në të gjitha trojet etnike.

Kryeministri Berisha këto mesazhe i dha sot në inaugurimin e disa ambienteve dhe laboratorëve të Fakultetit të Bioteknologjisë dhe Ushqimit të Universitetit Bujqësor, në Kamzë. 

“Këtë vit ne e kemi vitin e historisë sonë, e kemi 100 vjetorin e pavarësisë. Në qoftë se ju hidhni sytë në hartën e Evropës, asnjë komb nuk ka kaluar në 100 vite kalvarin, të cilin kanë kaluar shqiptarët. Unë ju rikujtoj se 100 vjet më parë, ata të cilët luftuan për Shqipërinë etnike, për Shqipërinë në trojet ku shqiptarët ishin shumicë etnike dhe vazhdimësi gjeografike, ata të cilët u flijuan për idealin e kësaj Shqipërie, nuk kishin shtet, nuk kishin institucione. E kundërta ishte e vërtet. Ata u përballën me armiqësitë më të egra të fqinjëve që mendonin se shqiptarët nuk duhet të ekzistonin më në trojet e tyre. Por ata ia dolën, me një përpjekje mbinjerëzore, të udhëhequr nga Ismail Qemali të shpallnin në Vlorë pavarësinë. Sërish, përpjekje titanike u bënë për të konsoliduar shtetin”, deklaroi Berisha. 

Sipas tij, diktatura më e egër në Evropë u përjetua nga shqiptarët. Sot, ne jemi të lirë. Jemi të lirë në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni dhe kudo që jetojmë. 

“E rëndësishme, të dashur studente e studentë, është të ruajmë si idealin më të shenjtë të shqiptarëve, idealin e bashkimit kombëtar. Trojet etnike të shqiptarëve duhet të jenë dhe janë territore të ndërgjegjes së tij kombëtare, kudo që ai jeton. Ky është një kusht vendimtar, që energjitë e kombit të shkojnë për ndërtimin e të ardhmes së tij në liri. Ndaj dhe në këtë 100 vjetor nderimi më i madh që u bëjmë ne qindra e mijëra të rënëve tanë, nga fillimi i shekullit të shkuar deri në vitet ’99 dhe 2001, në Kosovë e Maqedoni, është të bëjmë çdo gjë për tu bashkuar me njëri – tjetrin, është të bëjmë çdo gjë për tu bashkuar me Evropën”, theksoi kryeministri Berisha. 

Ai tha se në një kohë të shkurtër “ne do të vendosim Shqipërinë, e cila do të ishte dhe në vitin 1992 e krahasueshme me treguesit më kryesorë ekonomikë me Ugandën dhe Angolën, në grupin e vendeve të zhvilluara. Ky është frymëzimi që duhet të na sjellë ne 100 vjetori i pavarësisë”./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button