Varfëria le fëmijët tonë pa shkollim

Situata me të drejtat e fëmijëve në Maqedoni vazhdon të mbetet e mjerueshme. Numër i madh i fëmijëve pa kulm mbi kokë, pa përkujdesje sociale e mjekësore, pa shkollim adekuat.

Mbi 2.000 fëmijë janë për çdo ditë në udhëkryqe me duar të zgjatura dhe me normë të cilën duhet ta fitojnë. Edhe më keq, numri i të paevidentuarve në librin amzë të të lindurve është rreth 1.500 fëmijë. Deri tani kjo gjendje dhe ky numër as nuk është konfirmuar, e as i demantuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, e as nga Enti Shtetëror për Statistikë.

E drejta për arsim është një prej të drejtave themelore të njeriut. Edhe pse që nga viti 2010 shkollimi i mesëm është obligativ, në Republikën e Maqedonisë ka mbi 18.500 fëmijë që nuk vijojnë shkollimin, nëse i referohemi të dhënave nga Ambasada e fëmijëve “Megjashi”. Sipas tyre, arsyeja themelore për një numër kaq të madh fëmijësh jashtë bankave shkollore është varfëria.

“Në vazhdimësi kemi shkelje të të drejtave të fëmijëve në mënyra të ndryshme. Më së shpeshti shkelen të drejtat e jetës së shëndoshë dhe dinjitoze, të drejtës në arsim, të drejtës për kujdes shëndetësor dhe vendbanim personal. Kur këto fëmijë do të kenë kulm mbi kokë, kur prindërit e tyre do të kenë të ardhura minimale të cilat vetë i kanë fituar, dhe kur fëmijët e tyre të jenë në shkollë në vend se në rrugë, problemi i shkeljes të së drejtave të fëmijëve dhe keqpërdorimit të punës së fëmijëve sigurisht nuk do të çrrënjoset por do të zvogëlohet” – thotë njeriu i parë i Ambasadës “Megjashi”, Dragi Zmijanac.

Gjithashtu alarmant është edhe numri i rasteve të abuzimit seksual të fëmijëve, i cili është në tendencë rritjeje sidomos viteve të fundit. Qeveria publikoi on-line emrat dhe imazhet e pedofilëve të dënuar, si një hap për parandalimin e kësaj dukurie të shëmtuar. Por, sipas Zmijanac, kjo masë e Qeverisë jo vetëm që nuk ka arritur efektin në uljen e numrit të rasteve të keqtrajtimit seksual, por edhe ka arritur kundër efekt, duke referuar në gjendjen emocionale të fëmijëve viktima.

“Arkivimi i pedofilëve të gjykuar në regjistrin qendror nuk dha rezultatet që prisnim. Përkundrazi, e përkeqësoi edhe ashtu strukturën e lënduar të fëmijëve të cilët më së shpeshti janë viktima të farefisit, miqve, ndërsa shumë shpesh edhe të vetë familjes. Regjistri edhe më shumë e rendoi gjendjen për shkak se fëmija duhet publikisht të dëshmon se çfarë i ka bërë babai, daja, axha, miku, i cili më pas do të publikohet në internet dhe në këtë mënyrë do të njolloset e gjithë familja” – tha Zmijanac.

Gjithsesi, konstatim i përbashkët është se institucioneve u mbetet shumëçka për të bërë, që të zvogëlohen numrat marramendës të fëmijëve të keqtrajtuar dhe me drejta të parealizuara./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button