Stejpan Mesiç viziton Tetovën

Sot në Tetovë gjendet ish presidenti i Kroacisë, Stejpan Mesiç. Ai u takua me kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi.

Thaçi i dhuroi ish-presidentit kroat një gravurë me motiv “Akti i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912”.

“Me kënaqësi sot prita Kryetarin Mesiç, biseduam për shumë çështje. Unë shpreha brengën tonë për bllokimin e procesit integrues të Maqedonisë, për shkak se të gjitha shtetet që dolën prej ish-Jugosllavisë tash më janë në një orientim të drejtë të procesit integrues, kurse Maqedonia është e bllokuar. Biseduam edhe për çështje të tjera, por sigurisht se biseduam edhe për kohën e tranzicionit që ndodhi në  Jugosllavi, rikujtuam momentet kur kam qenë student në Prishtinë dhe e kam ndjek veprimtarinë politike të Presidentit në çdo kohë dhe kam një përshtypje shumë pozitive”, ka deklaruar Thaçi pas takimit.

Në anën tjetër, ish-presidenti Mesiç ka theksuar se takimi me Thaçin ka qenë në funksion të shkëmbimit të mendimeve lidhur me të kaluarën por dhe me të ardhmen.

“Të gjithë e dini se çka i ka ndodhi këtij rajoni para disa viteve, por edhe historikisht. Por tash jemi këtu për të biseduar për disa procese të tjera, tash të gjithë forcat pozitive angazhohemi për bashkim sa më të shpejt me Evropën. Evropa Juglindore duhet të gjejë vendin e vet në familjen e madhe evropiane, por paraprakisht edhe Evropa duhet të zgjidhë disa probleme të veta, duhet të zgjidhë problemet institucionale, problemet në sektorin financiar si në sferën fiskale ashtu edhe monetare, që mos të ndodhë ndonjë rast si Greqia apo edhe më keq”, ka deklaruar Mesiç.

Ai ka theksuar rëndësinë e integrimit të rajonit në BE, duke shprehur mendimin se me hapjen e kufijve, do të arrihej një paqe e qëndrueshme.

“Kur të hapen njëherë e përgjithmonë këta kufij, do të ndalojmë së menduari për luftë, sepse të gjitha luftërat që kanë ndodhur në këto treva, kanë ndodhur pikërisht për çështje kufijsh, prandaj me hapjen e kufijve, motive për luftë nuk do të ketë, madje do të bëhemi faktor për stabilitet. Do të jemi shembull për të gjithë kontinentin se si jetohet në paqe”, ka deklaruar ish-presidenti.

Mesiç do të dekorohet sot në Tetovë me titullin “Qytetar Nderi” dhe në Universitetin e Evropës Juglindore me titullin “Anëtar Nderi i UEJL-së”. 

Lajme të ngjashme

Back to top button