SHBA, hetimi për shkarkimin e Presidentit Trump zbuloi përçarjet e thella partiake

2019-a do të mbahet mend si viti kur Dhoma e Përfaqësuesve ngriti akuza për shkarkimin e një presidenti të Shteteve të Bashkuara për herë të tretë në historinë e vendit. Ndërsa shanset për shkarkimin e Presidentit Donald Trump në vitin 2020 nga Senati amerikan me shumicë republikane janë pothuajse zero, betejat mes ligjvënësve mbi procesin e hetimit nxorrën në dritë përçarjet e thella partiake që po ndryshojnë debatin politik në Shtetet e Bashkuara. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Kongres, Katherine Gypson njofton mbi ngërçin politik të këtij viti.

Votimi më serioz që një kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve mund të shpallë është ai me të cilin vetëm dy presidentë amerikanë ishin përballur përpara presidentit të tanishëm, Donald Trump.

“Faktet janë të pakontestueshme. Presidenti abuzoi me pushtetin për përfitim personal politik, në kurriz të sigurisë sonë kombëtare duke ndalur ndihmën ushtarake dhe një takim të rëndësishëm në Zyrën Ovale, në këmbim të një njoftimi për një hetim ndaj rivalit të tij politik”, tha Nancy Pelosi, Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve.

Por faktet e telefonatës së 25 korrikut mes Presidentit Trump dhe homologut të tij ukrainas Volodymyr Zelinskiy, që çuan në fillimin e hetimit tre mujor të Dhomës së Përfaqësuesve dhe në 80 orë dëshmi publike janë debatuar ashpër, dhe përfunduan me ngritjen e akuzave nga Dhoma e Përfaqësuesve ndaj Presidentit Trump për abuzim të pushtetit dhe pengim të Kongresit.

“Vendi ynë është themeluar bazuar në parimin se ne nuk kemi mbretër. Kemi presidentë. Dhe Kushtetuta është busulla jonë. Kur shihni diçka që nuk është e drejtë, ju keni një detyrim moral të thoni diçka, të bëni diçka”, tha ligjvënësi demokrat John Lewis.

Demokratët argumentuan se Presidenti Trump kompromentoi demokracinë Amerikane duke ftuar ndërhyrjen e huaj në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

“Kur Presidenti sakrifikon interesat tona, sigurinë tonë kombëtare për të rizgjedhur veten, ai sakrifikon vendin tonë për përfitimet e tij personale. Kjo rrezikon idenë dhe mendimin se Amerika është një vend i ligjeve, jo i burrave”, tha ligjvënësi demokrat Adam Schiff.

Në fund të shtatorit, Shtëpia e Bardhë publikoi një përmbledhje të bisedës telefonike të 25 korrikut, pas një ankese të një informatori për sjelljen e Presidentit Trump, duke nxitur interpretime të ndryshme nga Shtëpia e Bardhë dhe demokratët.

“Unë duhet të merrem me (ligjvënësin) Adam Schifff për një bisedë telefonike perfekte me presidentin e ri të Ukrainës. Ishte një thirrje telefonike perfekte”, tha Presidenti Trump.

Republikanët kritikuan mënyrën se si demokratët e trajtuan hetimin.

Ata ruajtën unitetin në mbrojtjen e presidentit, duke argumentuar se demokratët po përpiqeshin të rrëzonin rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

“Demokratët i urrejnë 63 milion njerëzit që votuan për presidentin”, tha ligjvënësin republikan Steve Scalise.

Retorika e ashpër bëri një kthesë shqetësuese në tonin dhe përmbajtjen e debatit politik në vend.

“Ne jemi në një nivel të ngritur polarizimi partiak. Nuk ka dyshim që ky polarizim ndikon në atë që po ndodh tani me hetimin për shkarkimin e Presidentit. Ne nuk e kemi parë këtë lloj polarizimi në hetimet për shkarkimin presidentëve Clinton dhe Nixon”, thotë Jennifer Victor nga Universiteti George Mason.

Në fund, debati ndryshoi pak mendime në Uashington, ose në mesin e votuesve në pjesën tjetër të vendit, siç treguan sondazhet. Votimi i fundit për ngritjen e akuzave u bë pothuajse tërësisht përgjatë linjave partiake, duke përgatitur skenën për një betejë të ashpër në fillim të vitit 2020 mbi gjyqin ndaj Presidentit Trump në senat.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button