Efekti bumerang: mediat dhe populli i RMV

Një specialist i medias (Kellstedt) ka thënë se pasqyrimi mediatik ndikon seriozisht në formësimin e mendësisë së audiencës. Në fjalë të tjera, çfarë do që mediat shpërndajnë, çfarë do që portalet publikojnë, dhe për atë temë që flitet më së shumti dhe mënyra se si flitet, do të përcaktojë mënyrën e të menduarit dhe të llogjikuarit të një shoqërie të tërë.

Tani, këto mediume do vazhdojnë të publikojnë artikuj e materiale të tjera mediatike dramatike sepse e njohin mirë audiencën e vetë, e dinë se ka të bëjë me një popull depresiv i cili konsumon vetëm atë çka e ngop egon e vetë. Që të shpëtojmë nga ky rreth vicioz: media publikon negativitet ndaj dhe populli konsumon negativitet (pastaj e kundërta) dhe duhet që të dyja palët të bëjnë pjesën e tyre: ne si audiencë duhet të ndalemi duke klikuar në ato lloj lajmesh ku vajtohet gjendja dramatike e vendit (dhe më keq akoma t’i shkruajmë vetë ato), apo tituj sensacionalë të llojit “ja se cili vend mirëpretë punëtorë”, “ja sa është pagesa mujore në filan vend” apo “ja sa e lirë është jetesa në fistek vend”. Nëse është nevoja mund t’i bëjmë unfollow të gjitha ato lloj portalesh të cilët përhapin vetëm se panik dhe negativitet. Dhe minimumi që mund të bëjmë, të paktën mos t’i shpërndajmë tituj të tillë.

Nga ana tjetër nëse media dëshiron të luaj rolin e vetë të informimit, këtë lloj informacioni mund ta përcjelli me pozitivitet. Do thoni ju “çfarë ka mbetur pozitive më në këtë vend ku çdo gjë është zi?” Nëse e shihni zi edhe më zi do të bëhet. Sipas ligjit të tërheqjes dihet se nëse përqendrohemi tek negativja vetëm me negativitet do ta rrethojmë veten, do të konsumojmë dhe prodhojmë negativitet dhe si pasojë do t’i sjellim akoma më tristhim e brengë këtij vendi e kësaj rinie.

Në një tjetër shkrim kam përmendur se si kjo gjë mund të arrihet duke promovuar nisma pozitive dhe individë me arritje që janë rol model për shoqërinë tonë. Në këtë shkrim dua të sygjeroj një qasje ndryshe duke i parë gjërat në një aspekt pozitiv, në mënyrë që të tërheqim pozitivitetin.

Prej një analize të thjeshtë të përmbajtjes mediatike dhe të opinionit publik shoh se shumica, thuajse të gjithë fokusohen tek gjetja e shkaqeve dhe faktorëve të ndonjë fenomeni negativ. Që s’ka ndonjë gjë të keqe deri këtu po të kishte qenë se ky lloj procesi i hulumtimit të shkaqeve do të kishte sjellë ndonjë ndryshim. Por hulumtimi dhe numërimi i faktorëve prej më shumë se 15 vjetësh (të paktën për sa kohë kam unë që jam pjesë e këtij realiteti dhe shoqërie) është shoqëruar vetëm me ankesë, vajtim dhe vetëviktimizim. Në rregull! Ja u gjetën shkaqet! Ja i sqaruam dhe faktorët! Por askush s’del të japë zgjidhje konkrete! Dhe nëse japin, japin vetëm mend por askush nuk dëshiron të jetë vetë ndryshimi.

Titull pas titulli, lajm pas lajmi, portal pas portali …për çdo ditë një dramë e re. Jo-po migracioni, jo-po ceremonitë “mortore” të përcjelljes së rinisë jashtë vendit sikur të ishin (larg qoftë) xhenaze, jo-po skandalet seksuale në këmbim të notës nëpër fakultete, jo po dështimi sistemit arsimor për shkak të rezultateve të PISAS…dje mjaftoi pak mjegull për ta kthyer të gjithë çështjen në një dramë kombëtare, sot paskan dalë disa rezultate se RMV qenka pozicionuar e treta në botë për papunësinë e rinisë …e nëser kushedi se për çka tjetër do të vajtojmë. E në të gjithë këtë mori bombardimesh me lajme negative nuk pash as edhe një opinion të vetëm i cili sygjeronte pika konkrete se si mund të përmisohemi ne aspektin e sistemit arsimor që mos të “ngelim” në PISA-n e ardhshme, si mund të mbrohemi nga ndotja e ajrit dhe çfarë masash duhet të marrim, si të kultivojmë vlera tek fëmijët tanë se morali nuk shitet për asnjë gjë në botë e jo më për një notë, se si ta nxisim punësimin e të rinjve dhe si t’i këshillojmë ata me strategji biznesi që të mund të themelojnë nisma fitimprurëse etj etj.

Dhe më qesharakja në këtë mes është se ne jemi kampion për ta shitur tragjedinë dhe mjerimin si diçka ekskluzive dhe personale. Sikur skandalet me favore seksuale ndodhin vetëm tek ne (jo më larg se këtë verë ndodhi një i ngjashëm në Shqipëri, dhe ndodh në të gjithë Ballkanin, Europën dhe Botën në përgjithësi).

Nga ana tjetër, askush nuk e shoqëroi lajmin e “të tretët në botë për nga papunësia e të rinjve” me ndonjë gjë që jemi të parët në botë për diçka pozitive. Përshembull a e dinit ju se RMV është listuar e treta në botë pas Buhtan dhe Anglisë si një nga vendet turistike më tërheqëse, gjë që pastaj i sjell të ardhura ekonimike vendit? A e dinit se World Bank e ka shtuar në 10 vendet më të mira për investitorët e huaj, dhe përsëri kjo përkthehet në të ardhur të mira financiare për vendin? Dhe a e dinit se jo më larg se para disa ditësh, kur në Shqipërinë fqinje u miratua ligji “antishpifje” një formë e censurës diktatoriale, por e zbukuruar me një emër demokratik, pikërisht po ato ditë Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, mbështeti vendimin e marrë në Maqedoninë e Veriut për ngritjen e një mekanizmi vetë-rregullues për mediat on-line?

Me siguri s’keni nga ta dini sepse shumica e portaleve do bëjnë punën e tyre në shpërndarjen e dramave kombëtare.

Sapo ndodhi të jemi të gjithë dëshmitarë të një mrekullie solidarizimi, dashuri pa fund nga shoqata, të rinjë, forume institucione deri tek vetë komunat e vockal me aq pak buxhet dhuruan çfarë patën për Mëmëdheun fqinj. Por kjo mrekulli nuk zgjati shumë, sepse të gjithë magjinë e shkatërroi një lajm i vetëm: “Tetova dhuroi 25 mije eurot e dekorit për festat e fundvitit, ndërsa Durrësi harxhon 42 mijë euro për to”. Përpos që nuk duhet të na interesojë se ku dhe si shkuan dhurimet, sepse ai që jep nuk e kthen më kokën pas, ne duhet të na interesojë se solidarizimi dhe dhurimi i shërben më së shumti atij që jep se sa atij që merr.

Mos lejoni që mrekulli të tilla që i bëjnë mirë shëndetit tonë mendor kombëtar të shkatërrohen nga dora e atyre mediave që dëshirojnë të formësojnë perceptimin tonë pozitiv ndaj realitetit! Shpërndani vetëm mirësi dhe pozitivitet që pozitivja të vijë t’na përqafojë!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button