Opinioni i Komisionit të Venecias, nën thjerrëzën juridike

E drejta për përdorimin e gjuhës amtare është një nga të drejtat që ka më së shumti ndikim në jetën e përditshme të qytetarëve. Thënë këtë nuk kanë qenë të rastësishme debatet e shumta publike për realizimin e kësaj të drejte të paraparë me Kushtetutë. Për tu rikujtuar, Ligji i vitit 2018 për përdorimin e gjuhëve hyri në fuqi ne 14 Janar të vitit 2019. Nëntë ditë pas hyrjes në fuqi, me kërkesë të qeverisë ai u dërgua në Komisionin Evropian për Demokraci nëpërmjet Ligjit (Komisioni i Venecies), bashkë me versionin e nenit 8. Opinioni i Komisionit krijoi përsëri debate me rekomandimet dhe mënyrën e analizës së tekstit normativ.

Duke filluar me regjimin juridik dhe kushtetues të përdorimit të gjuhëve, neni 7 i Kushtetutës parasheh se cilado gjuhë që flitet nga së paku 20% e qytetarëve është poashtu gjuhë zyrtare. Komisioni thekson se nuk do të hyjë në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit, pasi është kompetencë e Gjykatës kushtetuese, por nga ana tjetër nuk lë pa përmendur (paragrafi 36) se Ligji i vitit 2018 e avancon dukshëm përdorimin e gjuhëve të 20%- it, ndërkohë që neni 7 i Kushtetutës lejon zyrtarizimin e saj.  Së dyti, në kontekst të kushtetutshmërisë (pra të përputhjes së Ligjit me Kushtetutën), Komisioni vlerëson se çështja e konkretizimit të gjuhës shqipe në Ligj, është e drejtë e Ligjvënësit, pra  nëse do të përdor term neutral apo gjuhë konkrete dhe i llogarit të dy mundësitë të pranueshme.

Një çështje tjetër që diskutohet nga grupi punues i Komisionit është precizimi se në cilin regjistrim të popullatës bazohet ligji dhe kërkohet të vendoset si referencë cenzusi i vitit 2002, pasi pragu i 20%-it përcakton statusin e përdorimit të gjuhëve në nivel qendror dhe lokal. Ajo që nuk është e pranueshme të thuhet në një dokument të tillë është vendosja në dyshim e rezultateve të cenzusit të vitit 2002 krahasuar me numrin aktual të popullsisë, të cilën e bazon në bashkëbisedime me përfaqësues të komuniteteve, sipas të cilëve ky numër është në rënie. Për më tepër, si argument në këtë rast merret raporti i Komitetit Këshillues të Konventës Kornizë për të drejtat e pakicave (ACFC), në bazë të të cilit numri i përgjithshëm i popullsisë (citoj: the overall population) konsiderohet në rënie si pasojë e emigracionit. Komisioni duhet të bazohet në versionin zyrtar të regjistrimit të popullsisë dhe jo në hamendësime.

Versioni për plotësimin e nenit 8 të Ligjit, që ka të bëjë me zgjerimin e përdorimit të gjuhës shqipe në kartmonedha dhe uniformat e ushtrisë, pranohet dhe konsiderohet se nuk është në kundërshtim me Konventat ndërkombëtare, megjithëse siç përshkruan Komisioni shkon përtej standardeve evropiane, ekzistojnë një sërë precedentësh në shtete të tjera. Mendoj se në një linjë me këtë arsyetim, pra të faktit që Komisioni  përdor precedentët si argumentim, do të mund të përmendej edhe përcaktimi i gjuhës serbe si gjuhë zyrtare në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, që shkon përtej të gjitha standardeve ndërkombëtare.

Sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe në procedura gjyqësore, Komisioni vlerëson se Ligji i gjuhëve shkon përtej standardeve evropiane, duke iu referuar Kartës për gjuhët rajonale dhe të pakicave. Duhet theksuar se Maqedonia e Veriut nuk e ka ratifikuar këtë Kartë. Për këtë arsye edhe mungon në numërimin e traktateve ndërkombëtare që janë pjesë e legjislacionit  të Maqedonisë së Veriut (paragrafi 13.i Opinionit), të cilat nuk mund të ndryshohen me ligj.

Në konkluzionet përfundimtare të këtij opinioni, rekomandohet tërheqja e neneve që kanë të bëjnë me dygjuhësinë në procedurat gjyqësore dhe të merren masa për implementimin e dispozitave të Ligjit të vitit 2008; i cili disa herë në vetë tekstin e këtij opinioni përcaktohet si i paqartë, konfuz, i vështirë për tu implementuar, si pasojë e mungesës së resurseve njerëzore, mjeteve financiare, gatishmërisë së institucioneve, mungesës së informacionit nga ana e komuniteteve për të drejtat që burojnë nga ky ligj e të tjera. Për më tepër, një pjesë e mirë e raporteve të institucioneve monitoruese evropiane (si Komiteti Këshillëdhënës (ACFC), Komisioni Evropian kundër racizmit (ECRI), Komisioneri Evropian për të drejtat e njeriut, Komisioni Evropian i Bashkimit Evropian), kanë theksuar nevojën e një ligji të ri për arsyet e lartpërmendura duke kritikuar mungesën e transparencës dhe qartësinë juridike si arsye për mosimplementimin e Ligjit të 2008-ës.

Diskutimi i vazhdueshëm për ligje të reja për përdorimin e gjuhës shqipe dhe prolongimi i implementimit të tyre për vite me radhë do të vendoste në pikëpyetje funksionimin e sundimit të së drejtës, me ç’rast të drejtat mbeten në letër dhe nuk zbatohen.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button