Obama rizgjidhet president: Më e mira për Amerikën do të vijë

Barack Obama rizgjidhet president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në zgjedhjet që janë konsideruar të jenë më të ngushtat në historinë amerikane.

Rezultatet paraprake tregojnë se Presidenti Barak Obama ka mundur rivalin e tij republikan Mit Romney duke siguruar 303 vota kundrejt rivalit të tij Mitt Romney  i cili ka marrë 203 vota.

Mësohet se Obama ka siguruar fitore në mbi 20 shtete si dhe në kryeqytetin e vendit Uashington. Ai  fitoi në shtete të rëndësishme si Ajova dhe Pensilvani ndërsa Romney siguroi fitore në shtetin e lëkundur të Karolinës së Veriut dhe në Indiana.

Obama: Më e mira për Amerikën do të vijë

Presidenti i SHBA-së Barack Obama ka mbajtur fjalimin para mbështetësve të tij  ndërsa ka falenderuar të gjithë amerikanët për mbështetjen.

“Ne kemi arritur deri këtu falë jush. Kemi mbijetuar ndaj luftrave dhe i kemi dhënë këtij vendi një vrull të madh shprese duke besuar tek ëndrra jonë e përbashkët. Udhëtimi ynë ka qënë i gjatë por ne arritëm një fitore dhe ne e dimë që më e mira për Amerikën do të vijë. Dua të falenderoj çdo amerikan që ka marrë pjesë në zgjedhje. Zëri juaj u dëgjua dhe ju bëtë diferencën kur zgjodhët mes Obamës dhe Romneyt.   Unë bisedova me Romney dhe e falenderova për fushatën që kreu” tha Obama.

“Ne e duam shumë këtë vend.  Unë dua të falenderoj miqtë dhe partnerët, zëvendëspresidentin Joe  Biden. Unë s`do të isha njeriu që jam sot pa ju që më zgjodhët 4 vjet më parë.  Nuk ju kam qënë kurrë kaq krenar . Ju dua kaq shumë ashtu siç dua edhe Zonjën e parë, dhe vajzat e mia.  Përpara syve tanë ju do të rriteni dhe unë jam krenar për ju të gjithë për fushatën më të mirë në histori. Disa prej jush janë së fundi pranë meje por pavarësisht asaj që bëni ne duhet të punojmë bashkarisht”.

“Ne duam që gjithësecili të jetojë i sigurtë,  por edhe një vend që pavarësisht situatën konfliktuale të ndajë paqen. Ne besojmë në parimet e Amerikës, në fuqinë e Amerikës, në ëndrrën amerikane”.

“Pavarësisht progresit të arritur ka ende punë për të bërë, ndonjëherë lëvizet me hapa të ngadaltë. Duhet të zgjidhim të gjitha problemet tona por duke pasur kompromis për të ecur përpara. Ekonomia po rimëkëmbet.  Një fushatë e gjatë tashmë ka përfunduar, beteja ka përfunduar”.

“Unë e kam dëgjuar zërin tuaj dhe unë kam besuar tek ju dhe ju më keni bërë një president më të mirë. Unë do të kthehem në Shtëpinë e Bardhë për një të ardhme më të mirë. Sot ju votuat dhe më bëtë që unë të fokusohem tek puna juaj dhe jo tek e imja”.

“Do të përmirësojmë sistemin e emigrimit, çështjen e taksave. Ne kemi punë për të bërë. Kjo nuk do të thotë që puna juaj ka përfunduar këtu. Në Amerikë ajo që ka rëndësi është ajo çfarë duhet bërë nga ne”.

 

Mitt Romney pranon humbjen

Ndërkohë kandidati republikan, Mitt Romney, në daljen e tij para mbështetësve, ka pranuar humbjen në zgjedhjet presidenciale.

“Ju falenderoj të gjithëve për mbështetjen. I kam telefonuar Presidentit Obama për ta uruar, familjen dhe zgjedhësit e tij. Kjo është një kohë sfidash për Amerikën dhe unë lutem që Presidenti të ketë sukses në rrugën e tij në drejtim të vendit tonë”, tha Romney.

Ai ka theksuar se shpreson që të mos i kishte zhgënjyer mbështetësit e tij. “Kombi ynë, jeton një moment kritike dhe ne nuk mund të rrezikojmë duke mbajtur qëndrimin e gabuar. Unë besoj tek Amerika dhe tek populli amerikan”, tha Romney.

Senati fitohet nga demokratët ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve nga republikanët

Ndërkohë, Presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara do të duhet të punojnë me një Dhomë të Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët.

Kjo do të thotë që ligjvënësi republikan John Boehner nga shteti i Ohajos ka të ngjarë të mbajë postin e tij si kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve, ndërsa ligjvënësi Eric Cantor nga shteti i Virxhinias pritet të mbetet udhëheqësi i shumicës.

Nga 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve demokratëve do t’u duhej të fitonin 25 vende për të marrë kontrollin.

Disa gara kyçe për në Senatin e SHBA ende janë pa rezultat, edhe pse demokratët korrën disa fitore kyçe në Massachusetts, Ohajo dhe Indiana.

Zgjedhësit votuan për 33 vende në Senatin prej 100 vendesh të kontrolluar aktualisht nga Partia Demokratike. Republikanëve do t’u duhej të fitonin 4 vende për të marrë kontrollin e Senatit.

Lajme të ngjashme

Back to top button