Berisha: Do të rikthejmë të gjithë personat që abuzojnë me vizat

I pranishëm në  zhvillimin e ministrialit, që  u zhvillua Tiranë, ka qenë  edhe kryeministri i vendit, Sali Berisha.

Gjatë  fjalës së tij kreu i qeverisë, lidhur me kërkesat e larta për azil, deklaroi se nuk do të toleroj asnjë  shtetas të  abuzon me regjimin e vizave, çka do t’i privonte lëvizjen e lirë  qytetarëve të  tjerë  shqiptarë, dhe kjo për një  grup të  caktuar azilkërkuesish.

Në këtë kontekst ai shtroi domosdoshmërinë e ndërmarrjes së një fushate informacioni për të ndërgjegjësuar qytetarët lidhur me domosdoshmërinë e respektimit të rregullave dhe afateve kohore të qëndrimit në vende të zonës Shengen.

“I përcjell KE nëpërmjet komisioneres Malstrom dhe presidentes qipriote vendosmërinë  tonë  për të  marrë  çdo hap dhe për t’i dhënë  përgjigjen e vendosur fenomenit të  azilkërkuesve. Jemi të  gatshëm të  firmosim çdo marrëveshje për rikthimin në  vend të  personave që  abuzojnë me këtë  vendim shumë të rëndësishëm dhe fisnik. Mbi bazën e këtij qëndrimi ne kemi riatdhesuar nga Belgjika, dy herë, grupe që  kishin aplikuar në  mënyrë  të  pamerituar, po përgatitemi ta bëjmë këtë  me Luksemburgun dhe jemi të  gatshëm ta bëjmë  me secilin vend të  Shengenit”- u shpreh kreu i qeverisë  Berisha, në  fjalën e tij në  ministerialin BE-Ballkan në Tiranë .

Nga ana tjetër komisionerja për drejtësi dhe çështje të brendshme e BE-së, Cecilia Malmstrom kërkoi përforcim të agjencive të ligjit, si dhe një luftë të ashpër kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në këto shtete. Lidhur me vendin tonë, ajo vlerësoi progresin e bërë në drejtim të reformave, duke vlerësuar në mënyrë të veçantë heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë.

“Vijimësia e angazhimit është me rëndësi në luftën kundër krimit të organizuar duke përfshirë edhe hetimet financiare. Përpjekje duhet tek sekuestrimi i aseteve kriminale. Korrupsioni është mjaft i përhapur dhe lejon infiltrimin e grupeve kriminale në sektorin publik. Duhet të ketë dënime në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. BE do japë ndihme”,- theksoi Malstrom në Ministerialin me Ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë së Shqipërisë, Maqedonisë, Serbisë, Bosnjës e të Malit të Zi, që nisi sot në Tiranë.

Problemi i azilkërkuesve të  rremë  dhe çështja e vizave në  zonën Shengen do të  jetë  në  qendër të  takimit dyditor të ministrave për drejtësi dhe çështje të brendshme në mes të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Ministrat e Brendshëm të Suedisë, Gjermanisë, Holandës, Belgjikës, Luksemburgut dhe Francës kanë kërkuar më 25 tetor nga Parlamenti Evropian që urgjentisht të votojë klauzolën për pezullimin e përkohshëm të regjimit pa viza për Ballkanin, për shkak të numrit të madh të azilkërkuesve të rremë nga ky rajon.

Raportuesja e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave, Tanja Fajon, ka thënë se mekanizimi për pezullimin e regjimit liberal mund të hyjë në fuqi në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm.

Sipas saj, shqetësimet më të mëdha për azilkërkues i paraqesin Serbia dhe Maqedonia, ndërkohë që më pak shqetësuese është situata në Shqipëri, Bosnjë dhe Mal të Zi./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button