Tatimi për beqarë, budallallëku populist i radhës

Të gjobiten të gjithë beqarët dhe beqaret  që kanë arritur të 30-tat nëse deri më atëherë nuk kanë formuar familje. Kjo ishte ideja “brilante” e partisë TMRO, njëra nga partitë në koalicionin qeverisës së VMRO-DPMNE-së për të kontribuuar në shtimin e natalitetit të vendit, e cila pas reagimeve të ashpra në publik u tërhoq menjëherë.

“Beqaret mbi 30 vite dhe beqarët mbi 35 vite të paguajnë tatim vjetor që arrin shumën e një rroge mesatare. Kjo është një masë ndëshkimi. Qeveria ka investuar në familje ndërsa individët të cilët nuk janë të brengosur për këtë politikë të Qeverisë e cila nënkupton dhe zhvillim ekonomik duhet të formojnë familje ose të dënohen” tha Vanço Shehtanski, lideri i TMRO.

Deklarata e tillë shkaktoi një serë reagimesh sidomos te të rinjtë në rrjetet sociale duke e quajtur ide tejet e çmendur populiste të Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Gruevski.

“U habita kur dëgjova një ide të tillë. Edhe pse e dimë se kjo qeveri është konzervative, është e palejueshme që një politikë e tillë jo-demokratike madje dhe të diskutohet! Frika e kryeministrit Gruevski dhe partisë së tij nacionaliste nga rritja e popullsisë shqiptare demonstrohet në mënyra të ndryshme. Edhe pse ideja u tërhoq në publik shihet tendenca she fryma Millosheviqiane e trashëguar nga kryeministri jonë” thotë Enisa Bajrami nga Tetova.

“Kam frikë se nga tendenca për të gjetur “zgjidhje” shteti merr rolin e diktatorit duke të treguar se me cilin duhet të martohesh po qe se të shkuan vitet. Kjo politikë është provuar edhe më herët nga regjimet ekstremiste djathtiste por në praktikë është dëshmuar se idetë e tilla kanë qenë katastrofale për atë popull” komenton në Facebook, Filip Stojanovski nga Shkupi.

“Ligji nuk do të sjell asgjë tjetër përpos fitim dhe majmje të shtetit me paratë tona” komenton në Twitter, Egzona Saliu.

“E cfarë me ato që janë martuar para se ti bëjnë 30 vite, do gtë marrin para nga Qeveria për këtë të ‘mirë’?” tallet Nikolla S. në Twitter.

Falë reagimeve të rinisë por edhe të disa partive në opozitë dhe pushtet, sot Shehtanski kërkoi falje dhe e tërhoqi propozimin e tij “në dobi” të shtimit të natalitetit në vend. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button