Teneqe dhe beton për përmendoret shqiptare të ‘Shkupi 2014’

Në vend që të shohim tre përmendore shqiptare me kualitet bronze, ne do të shohim teneqe dhe beton. 

Ky është reagimi i partive opozitare shqiptare në lidhje me përmendoret e Josif Bagerit, Nexhati Agollit dhe Pjetër Bogdanit, të cilat zvarriten nga viti në vit dhe u ngjajnë premtimeve boshe të qeverisë.

Që prej fillimi kemi thënë se bëhet fjalë për projekt monoetnik, monofetar dhe parasegjithash antishqiptar, tha deputeti i PDSH-së Bekim Fazliu.

‘Kanë kaluar katër vite e kemi pa se është gati në përfundim të realizimit ky projekt. Si rezultat i realizimit të këtij projekti kemi me qindra përmendore të maqedonasve, janë harxhuar me qindra miliona euro para nga buxheti që janë para edhe të shqiptarëve dhe tërë kohën na u është thënë se në këtë projekt do të vendosen edhe disa përmendore shqiptare që jemi dëshmitarë se deri tani nuk i shohim askund. Por edhe nëse vendosen këto përmendore nuk mund t’ia ndryshojnë karakterin monoetnik dhe diskriminues sepse për ato përmendore nuk duhet të vendosin se cilat do të jenë vetëm Gruevski dhe Ahmeti’ tha Fazliu.

Izet Zeqiri, deputet nga radhët e Rilindjes Demokratike Shqiptare (RDK), thotë se është për të ardhur keq se lere që përmendoret nuk shihen askund por ato nuk janë të parapara të vendosen në lokacione frekuente që kanë për tendencë minimizim dhe injorimin e tyre.

‘Është çështja se diskriminim tjetër ekziston edhe në cilësinë e këtyre përmendoreve sepse përmendoret që do të vendosen për shqiptarët janë përmendore të përpunuara dhe me një çmim kushtues simbolik që nuk mund të krahasohen aspak me përmendoret maqedonase, që veç çmimet e tyre tregojnë se janë grumbull teneqe dhe betoni. Që faktikisht nuk janë të krahasueshme me përmendoret në aspekt të cilësisë siç janë ato të bronzit të figurave historike maqedonase’ tha Zeqiri.

Askush nga organet kompetente nuk diti të na precizojë një afat se kur ata do ti shohim në Qendrën e Shkupit. Për Muhamed Hoxhën, me rëndësi është se projekti është shndërruar në multietnik.

“Vendosja e tre përmendoreve të figurave shqiptare është projekt i Komunës Qendër. Ajo që dëshiroj të theksoj është se ne arritëm që projektin e trashëguar Shkupi 2014 ta shndërrojmë nga karakteri monoetnik në multietnik. Pas ardhjes sonë ne arritëm të shndërrojmë pra në karakter shumë etnik. Procedurat janë në kuadër të Komunës Qendër, informacionet që i kemi janë se janë në fazë përfundimtare, ndërsa për afat të pyesni Komunën Qendër, sepse ata e realizojnë projektin” tha Hoxha.

Edhe sekretari i përgjithshëm në Ministrin e Kulturës, Muzafer Bislimi na drejton në Komunën Qendër.

‘Përmendoret që do të vendosen janë kompetenca të Komunës Qendër, e di që janë në procedurë për tu derdhë në bronze por nuk e di deri ku është procedura’ tha Bislimi.

Por, as në Komunën Qendër nuk kanë paraparë afate, ndërsa thonë se përmendoret për momentin derdhen në bronz.

‘Punohet në tre përmendoret shqiptare, të Pjetër Bogdanit, Nexhati Agolllit dhe Josif Bagerit. Për momentin po punohet në to, përkatësisht derdhen në bronze. Unë nuk mund të precizoj me afate konkrete se kur do të jenë gati përmendoret, por vetëm t’ju informoj se po punohen në to’ tha Jovica Ackovski, zëdhënës në Komunën Qendër./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button